GQ Italia: Ksamili, perla e vogël e Shqipërisë

E kanë konsideruar shpesh si “Maldivet e Europës”. Këtë herë Ksamili ka marrë vëmendjen e revistës së njohur të modës GQ Italia që e ka renditur atë mes sugjerimeve të saj për pushime ideale në Gusht të këtij viti.

Revista e njohur nënvizon se Ksamili, brenda Parkut Kombëtar të Butrintit është ndër destinacionet kryesore në Shqipëri, sepse sipas saj deti këtu të lë pa frymë.

E veçanta e Ksamilit, thuhet në shkrim, janë 4 ishujt e vegjël të pabanuar që ndodhen pikërisht përballë plazhit, të arritshëm edhe me not duke pasur parasysh afërsinë me bregdetin, por më lehtë shkohet me barka.

Ishujt Binjakë, të lidhur me njëri-tjetrin me një brez të ngushtë rëre dhe bimësi të dendur, janë një parajsë e vërtetë tropikale, citon revista. GQ Italia u sugjeron lexuesve të vizitojnë edhe Syrin e Kaltër, një burim uji mjaft i rrallë. Ksamili vendoset në këtë renditje mes brigjeve të Francës, ishujve kroatë, Asturias në Spanjë, etj.