Personazh: Prokopi, i dijshëm, bindës, “i mosbindur”
Nga Thoma Nika
Nodhi që dikush u kujtua për të. Dhe Inxhinjerit pasionant të pyjeve, më shumë se kaq: ekologut Prokop Qirjaqi, i thanë ti: vlen për të qenë “Personalitet i Shquar” i Qarkut Vlorë. Me hak. Pasi ky Prokopi, mbase nuk bëri prokopi për veten e tij, por ishte fat e prokopi për “mushkëritë” e gjelbra të këtij qyteti, mbase askush tjetër nuk ka bërë e nuk do të mundej të bënte më shumë e më mirë. Nga diçka më shumë se nëntë dekada jetë, të paktën shtatë të tilla i ka të dedikuara kësaj kauze.Ka profilin e ekspertit të ekologjisë dhe pylltarisë, që bashkon në një, dijet e thella e të përditësuara. E gjithaq, i pajisur me qetësinë e mbrojtjes dhe me marrjen e çdo risku në zbatimim në terren të atyre që i ka patur bindje.
Më ka rrëfyer për disa beteja që i është dashur të bëjë e të fitojë, me njerëz që kanë qenë të pushtetshëm, të hekurt në krye të vendimmarrjes, të rrezikshëm për politikat e gjelbërimit mbi Sarandë. Dhe kam menduar gjithmonë se kur flet me Prokop Qirjaqin, je me njeriun që e bëri kurorën e Sarandës me pisha.
Si e bëri? Me studime e me dije, po se po, por edhe duke guxuar. Duke u hequr zyrtarëve partiakë e antishkencorë, çdo mundësi për të mbjellë akacie në vend të pishës. Më ka treguar se si u mbollën pishat gjatë natës prej tij e njerëzve që i besonin. Dita i gjeti fidanat në këmbë. E ndihmoi shkenca dhe fati, pasi ato u zunë të gjitha, edhe pse ato u mbollën gjatës natës. Me risk ishte, se nuk thotë kot populli, “punën e natës e qesh dita”.
Behet për 60 vite më parë, kur inxhinjeri pasionant e nisi karrierën me projektin e tij për pyllëzimin me pisha mbi qytetin e Sarandes. Një histori me plot kundërshti. Refuzimi i tij për të mbjellë akacie, ashtu siç kishin vendosur zyrtarët nga zyra, i kushtoi pushimin nga puna për një muaj, për “moszbatimin e direktivës së Partisë”. Në logjikën e tyre, e kishte “hak”. Pasi ai po ua “bënte borxh”. Në gropat që hapeshin gjatë ditës për akacie, ai mbillte pisha natën me hënë. I mjaftonte bindja shkencore se pisha e jo akacia, ishte pema që i duhej kurorës së Sarandës. Kjo nuk ishte si “mosbindja” sot!
Kush mund ta bënte këtë atëherë?! Ja që Prokopi mori çdo gjë parasysh dhe e bëri. Ishte i njëjti ofiqar i lartë lokal, që kishte urdhëruar të mbillej me patate fusha pranë stadiumit. Po ai që fushat i “qethi” nga pemët, pa lënë asnjë të vetme për hije ku të mund të gjenin një hije bujqit e mekanizatorët. Në këto marrëzi nuk e ndaloi njeri. Por për gjelbërimin, doli për zot një njeri i zoti si Prokopi.
Ky Prokop është që ka “autorësinë” edhe për shumimin e palmave të Sarandës, pemës më tipike mesdhetare. Përpara shumimit të inicuar prej tij, vetëm dy rrënjë ishin. Thotë se ishin mbjellë nga “italia e parë” më 1926. Aq do kishin mbetur deri vonë, nëse inxhinjeri nuk do të dinte mirë “gjuhën e pemëve”. Syrit të tij të vëmendshëm dhe nuk do t’i shpëtonte një filiz i ri i mbirë spontanisht pranë trungut të njerës prej palmave “historike”. Kaq i mjaftoi që të kuptojë se: po të mbillej fara, ajo jepte bimën. Dhe kështu bëri. Farat e gjetura i vuri të mbijnë në “inkuibatorin” e kohës, siç thotë ai, kur flet për fidanishten e ngritur në fushat e atëhershme të Kranesë. “Eksperimenti” Qirjaqi rezultoi i suksesshëm. Fara mbiu dhe dha plot 1500 fidana. Nga fidanishtja ato erdhën e gjelbëruan buzëdetin e Sarandës. E, falë shkencëtarit sarandiot Prokop Qirjaqi, fidanët e palmave gjelbëruan edhe Skelën e Vlorës. Edhe bulevardin Durrësit.
Prokop Qirjaqi është unikal jo vetëm në dijet dhe në pasionin për pyjet dhe gjelbërimin. Unikal, edhe në hapësirën që i është krijuar për të punuar vite me radhë, si ekspert i fushës në Ministrinë e Bujqësisë në Tiranë. E po ashtu, në dikasterin homolog në Athinë, në emigracionin e tij, që nuk njeh moshë.
Puna me pyjet dhe pemët e ka bërë dhe e bën vital edhe tani, që është përtej të 90-ave. Me fizik të mirë, me kujtesë të admirueshme, me dëshirë për të biseduar, treguar dhe kontribuar me dijet që ka.
-Çudi që thua se je 90- i tha dikush vite më parë- Nuk dukesh…
-Sigurisht që nuk duken, se ato janë brenda- ia ktheu ai me humor.