Personazh: Pranvera Çeço, gruaja e biznesit te luleve dhe bimëve
Nga Thoma Nika
Pranvera Çeço është gruaja delvinjote, të cilën e bën unike edhe biznesi që ka ngritur. Bimët e maleve e vargmaleve të jugut, nga Borshi në Dhëmbel, janë interesi e biznesi i saj.
– Ngjyrat, petalet dhe aromat e luleve më tërhiqnin që kur isha fëmijë, në oborret e ballkonet e shtëpive delvinjote – thotë ajo.
Me kalimin e viteve, kjo ndjesi e bukur fëmije, zgjeroi shtratin, duke e intriguar atë të bëhej një agronome e ditur, për çfarë u ndodh bimëve dhe tokës. Vitet e shkollimit ikën shpejt, por dëshira për t’i parë dukuritë e natyrës me një sy të vëmendshëm prej vëzhgueseje dhe studjueseje, erdhi e iu bë një marrëdhënie e përditshme dhe një mënyrë jetese.
E nisi këtë rrugëtim nga ish-ndërmarrja e grumbullimit, nga sektori i Delvinës, ku bimë e lule vinin nga malet që rrethojnë Delvinën, përpunoheshin, thaheshin, standartizoheshin. Prej andej, merrnin rrugët e botës, për t’u kthyer në lloj-lloj parfumesh e medikamentesh. E thënë ndryshe, aromat e maleve tona i merrnin të tjerë dhe neve na vinin këtu si “mollë e ndaluar”, nga ata pak turistë të huaj, që kundërmonin nga aromat “e jashtme”.
Eksportet rriteshin, mbledhësit e përpunuesit rropateshin maleve e gdhiheshin impianteve të tharjes. Por mirëqenia mbetej në vend. Dhe “Made in Albania” nuk lexohej gjëkundi.
Nuk është se nuk i kuptonte dhe nuk i mendonte kështu Vera ato gjëra, edhe atëherë kur ato ndodhnin. Por si mund të thuheshin?! Tjetër gjë propaganda e tjetër e vërteta. “Partia, ligji, polici…”. Çelës gojës, por jo mendjes.
Me hapjen e ardhur pas 90-ës, Vera u bë edhe më shumë mendjehapur. Për inerci, vazhdoi të punojë “në shtet”. Por ndërkohë mendja i punoi për vete, sidomos kur ish-ndërmarrja shkonte drejt teorisë dhe praktikës zero. Ia doli të privatizojë një barrake dhe t’ia nisë punës si gruaja e parë në biznes. Po ç’biznes zeza?! Lekë gjendje jo, krahë ku të mbështetej jo. Nevojat e familjes, po. Bërrylat e burrave që kishin nisur të njëjtin biznes në jug, po e po. Në kufij mbijetese!
Njohja e mëparshme me njerëzit e punës, komunikimi njerëzor me ta dhe dijet e profesionit si agronome, iu bënë fuqi e motiv për të mos u dorëzuar. Nëpër krismat e ngjarjeve të ‘97-ës, ajo udhëtonte për të takuar grumbulluesit e bimëve mjeksore nga Delvina në Konispol e Përmet, në Borsh e Leshnicë…
– Duket e pabesueshme, por asgjë e keqe nuk më ka ndodhur, as në atë kohë trazirash. Grumbullues të shumtë i rezervonin bimët dhe lulet për mua, duke kthyer mbrapsht biznesmenët burra, që venin përpara se të mbërrija unë tek ata.
Këto kujton sot Vera, si vështirësi dhe vlera të shtuara njerëzore, që i zbuloi rrugës. I kujton sot, kur biznesi i saj, ështl zhvilluar qëndrueshëm, vendosur në një kodrinë në të hyrë të Delvinës, ku ngrihet ndërtesa trekatëshe. Me emrin e mëhershëm si zona industriale e Delvinës. Por ajo është tkurrur aq shumë, sa të shkakton humor të hidhur, kur e dëgjon të thirret akoma kështu.
Vetëm fabrika e Verës, e specializuar për eksport të luleve e bimëve, me destinacion farmaceutik, është e tëra më këmbë. Jashtë e brenda, kundërmon nga aromat e bimëve dhe luleve. Ato mbushin mjediset, thahen e kalojnë në konvejerët e përpunimit. Më tej, ambalazhohen tonelatat, të cilat, të marketuara nën logon “Vera Natyral”, mezi i presin biznesmenë e firma të njohura në Gjermani, Francë, Amerikë e gjetkë.
Thote se janë më shumë se njëmijë mbledhës lulesh e bimësh në gjithë hapësirën jugore, që “punojnë për Verën”. Pasuria floreale e maleve vjen e tëra këtu. Vera tregon se e gjithë Shqipëria është e pasur me bimë kuruese. Vetëm në Delvinë, sipas saj, gjenden mbi 100 lloje bimësh, me ndikim të jashtëzakonshëm parandalues e ndihmues për shëndet të mirë, apo kurues e shërues për sa e sa patologji.
Ajo thotë se të tërë e dimë që Shqipëria jonë ka pasuri minierale pa fund nën tokë. Por Vera bëhet edhe më entuziazte kur të konfirmon se po kaq e pasur është edhe mbitoka. “Minierë më vete është!”, thotë dhe fytyra i merr më shumë dritë nga kjo e vërtetë.
– Kjo pasuri e mbitokës, si mund të ishte, përveçse e shfaqur në gonxhet e luleve dhe në gjethet e bimëve?!- pyet ajo, duke e dhënë vetë puna e saj përgjigjen.
Vend marrin rrugë e nënshkruhen marrëveshjet dhe kontratat me vendas e të huaj, nuk ka asgjë të ngjashme me kancelaritë. Vera pret e përcjell njerëz të interesuar për produktet e saj në një mjedis që as zyrë e mirëfilltë nuk mund të quhet. Edhe tryeza e saj e punës është e mbushur me lule e bimë, që të dehin me përzierje aromash. E ajo të flet plot pasion dhe dije për secilën prej tyre, me karakteristikat që e dallojnë çdonjerën nga të tjerat. Duke folur me kulturë prej njeriu të ditur, për përdorimin, për vetitë kuruese, çfarë shëron njera e çfarë tjetra dhe si përdoren, deri për të shtuar shije gatimeve.
Biznesi i kësaj gruaje çdo ditë lidhet me bimët dhe me lulet. Kur je atje dhe pasi largohesh, thua se askush nuk mund ta bënte këtë punë kështu si ajo. Për çdo aftësi dhe kompetencë, që shikon të zhvillohet përpara teje. Ndoshta edhe se emrin e ka të prejardhur nga Pranvera, që është stina e shpërthimit të luleve.