Mediat greke: Fredi Beleri mund të jetë kandidat i Nea Demokratia për eurodeputet! Mitsotakis: Marrëdhëniet me Shqipërinë janë ndikuar negativisht

Fredi Beleri mund të jetë kandidat për eurodeputet.

Sipas mediave greke, partia greke “Demokracia e Re”, e cila ka për kryetar Kyriakos Mitsotakis, që është edhe kryeministri aktual i Greqisë, mund të vendosë Belerin në listën e saj si kandidat për zgjedhjet parlamentare të BE-së.

Sipas “SKAI“, të afërm të Belerit konfirmojnë kontaktet me partinë greke në lidhje me zgjedhjet evropiane të 2024-ës, duke theksuar se nuk ka asnjë pengesë ligjore për këtë.

Ndër të tjera, kryeministri grek është shprehur se çështja “Beleri”, ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet shqiptaro-greke.

“Ne kemi shprehur rezervat tona për faktin se ai nuk u lejua të bënte betimin dhe nëse ishte një proces i drejtë. Ne do të këmbëngulim, nuk ka vendim përfundimtar, por një shkallë të parë. Mënyra se si Shqipëria e menaxhoi këtë çështje ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet me Greqinë”,-ka deklaruar ai.

Ndërsa ministri i Shtetit, Makis Voridis deklaroi më 6 mars se pas dënimit të Belerit nga drejtësia shqiptare, qeveria greke do të ashpërsojë qëndrimin dhe do të vërë veton për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.

19 marsi mund të jetë një datë historike, pasi pritet një tjetër proces gjyqësor lidhur me dënimin e Belerit. Nga ana e tij, ai nuk përjashton apelimin as në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.