Mediat greke: Fredi Beleri mund të jetë kandidat i Nea Demokratia për eurodeputet! Mitsotakis: Marrëdhëniet me Shqipërinë janë ndikuar negativisht
Fredi Beleri mund të jetë kandidat për eurodeputet.
Sipas “SKAI“, të afërm të Belerit konfirmojnë kontaktet me partinë greke në lidhje me zgjedhjet evropiane të 2024-ës, duke theksuar se nuk ka asnjë pengesë ligjore për këtë.
Ndër të tjera, kryeministri grek është shprehur se çështja “Beleri”, ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet shqiptaro-greke.
“Ne kemi shprehur rezervat tona për faktin se ai nuk u lejua të bënte betimin dhe nëse ishte një proces i drejtë. Ne do të këmbëngulim, nuk ka vendim përfundimtar, por një shkallë të parë. Mënyra se si Shqipëria e menaxhoi këtë çështje ka ndikuar negativisht në marrëdhëniet me Greqinë”,-ka deklaruar ai.
Ndërsa ministri i Shtetit, Makis Voridis deklaroi më 6 mars se pas dënimit të Belerit nga drejtësia shqiptare, qeveria greke do të ashpërsojë qëndrimin dhe do të vërë veton për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
19 marsi mund të jetë një datë historike, pasi pritet një tjetër proces gjyqësor lidhur me dënimin e Belerit. Nga ana e tij, ai nuk përjashton apelimin as në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.