Luiza Xhuvani: Letrat anonime që vinin nga Saranda për biografinë time dhe roli që më ndryshoi jetën
Aktorja e dashur Luiza Xhuvani, në një rrëfim të disa kohëve më parë, ka folur për karrierën e saj.
“Filmi i parë ka qenë kur isha ende studente. Nuk e konsideroj sepse nuk është një personazh që unë të shpërfaqja aftësitë e mia, ishte më tepër një kuriozitet.
Jam vlerësuar shumë nga pedagogët e mi, i kam ndjekur leksionet e profesor Piro Milkanit vazhdimisht, nuk humbisja asgjë”, tregon ajo.
“Në një mënyrë kam qenë e përkëdhelur nga pedagogët, më jepeshin rolet më të bukura, por edhe më të vështira.
Pata edhe një fat tjetër, pedagogu dhe regjisori Gëzim Kame me angazhoi në trupën e pedagogëve me veprën “Mësuesi i letërsisë”.
Ishte një ngjarje në jetën time artistike. Dua të theksoj që i jam mirënjohëse pafund regjisorit Vladimir Prifti që hapi karrierën time në kinema”, deklaroi Luiza Xhuvani.
Sakrificat për të qenë pjesë e filmit “Dhe vjen një ditë” dhe letrat anonime për biografinë që vinin nga Saranda
“Ishte një fat i madh për mua që mora pjesë në këtë film. Edhe pse një personazh i vogël, ishte i ndërtuar shumë mirë dhe më jepte mundësinë të shpërfaqesha.
Ishte fat, por edhe këmbëngulja ime. Kërkova leje nga shkolla për të qenë në xhirime.
Ishte e pamundur që të më lejonin, prandaj kërkova raport. E njihja Gjergjin, ishim të lidhur atëherë dhe falë tij e miqve të tij siguruam një raport dyjavor.
Kemi xhiruar në kushte shumë të vështira, në Dardhë të Korçës. Isha nën kujdesin e veçantë të aktores Liza Laska.
Edhe Birçe Hasko me Robert Ndrenikën më mbështetën shumë, sigurisht që e dinin mënyrën si kisha shkuar aty.
Ladi e njeh mjeshtërinë e aktorit, do të ishte regjisor shumë i mirë edhe në teatër”, tregon ajo.
Luiza thotë se në Sarandë, qytetin e saj të lindjes, nuk e pritën mirë angazhimin e saj në kinema dhe u përpoqën t’i prishnin punë me biografinë.
“Rrugën drejt kinemasë e kisha pothuajse të mbyllur.
Të devotshmit nga Saranda nuk harronin të kujtonin atje ku duhej për biografinë time.
I mbarova studimet me nota maksimale, por nuk më mbajtën në Teatrin Popullor, përfundova në Sarandë.
Punoja paralel edhe me film, edhe me Estradën e qytetit”, tregoi ajo.