Kristina e flaku patericën
Nga Thoma Nika
Imagjinoni një 19-vjeçare, tre vjet e mbërthyer në shtrat. Kjo, për shkak të sëmundjes. Pikërisht kur ajo kishte nisur të thurrte të tjera ëndrra për jetën e saj. Por ja që, në vend të kompjuterit, te koka e krevatit qëndron paterica. Ajo patericë, të cilën nuk e sheh dot dhe aq shumë do të donte ta flakte tej. Por, sot për sot, i duhet, se nuk bën dot pa të. Dëshiron të hedhë tej, por jo pa ndihmën e njerëzve, që do të donte ta dëgjojnë zërin e saj.
E kam përcjellë 14 vite më parë zërin e vajzës që kërkonte dhe duhej ta sfidonte paralizën e saj.
Sepse asaj vajze nga qyteti i Sarandës, në lagjen Nr. 1 të saj, ëndrra për t’u bërë studente i ishte ndalur papriitur. Sëmundja e kish mbëthyer atë në shtrat, të paralizuar. Dhe vendin e dispensave dhe kompjuterit, e patën zënë një palë paterica. Ajo qëndronte e mbyllur prej tre vitesh në dhomën e shtëpisë së një familjeje të pakamur në Sarandë. Çdo ditë bënte monologun e gjatë, duke mos qenë e zonja t’i shërbejë as vetes. Kujtoj se ajo pranoi të na rrëfejë historinë e sëmundjes së saj 3-vjeçare. Paksa e drojtur, por aspak e dorëzuar. Për bërjen publike të historisë së saj të dhimbshme, ajo preferoi të shfaqej vetëm në profilin e saj.
Në mbështetje të problemit të saj shëndetsor një fushatë e tërë sensibilizuese nisi atëherë. Me shoqatën e Fëmijëve në nevojë, me solidaritetin e shfaqur nga emigrantë të Sarandës në Amerikë etj. Ende pa ndryshuar asgjë, një falnderim i sinqertë dilte nga shpirti i Kristinës për të gjithë. Një apel pati ajo edhe për biznesin dhe për të gjithë ata që e kishin mundësinë t’i ndihmojnë shërimit të saj.
Gjyshja e Kristinës, Nënë Sania, mezi priste që mbesën e saj të shohë më këmbë, si gjithë bashkëmoshatarët e saj.
A e dini? Tashmë Kristina e ka flakur patericën. Ajo është përsëri në këmbë dhe me një jetë “si gjithë të tjerët”, falë humanitetit të Njerëzve. Kombinuar me fuqinë e saj për t’u ngritur mbi të keqen që i kishte rënë.
Ëndrra e saj e bardhë për të studjuar e për t’u bërë pjesë e atyre që u shërbejnë të tjerëve, me bluzën e bardhë, mori rrugë.
U ngrit më këmbë, nuk ia kishte më nevojën patericës. Studjoi dhe sot është një infermjere, që bluzën e bardhë, e vesh çdo ditë kur ka turnin e shërbimit, në prej spitaleve të Comos në Italinë fqinje. Kush, më shumë se ajo, një vajzë që, e mbërthyer në shtrat. ka qenë në nevojë për shërbim e shëndet, do të ishte një infermjere e përkushtuar deri në përgjërim për çdo jetë e për çdo pacient?!
Për Sarandën, për diellin dhe detin, por edhe për njerëzit e mirë që iu gjendën në orë të vështirë, e merr malli.
Pushimet e saj nuk kanë adresë tjetër, përveçse Sarandës. Këtë ndjenjë të bukur për qytetin dhe njerëzit e bukur, Kristina Basho, ia kultivon edhe vajzës së saj.