Dhëndri i Trump, plane për të ndërtuar resorte në Zvërnec dhe ishullin e Sazanit

Dhëndri i ish-presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner, shpalli dje në një intervistë për “Bloomberg” se ka në plan të zhvillojë për resorte turistike ishullin e Sazanit dhe zonën e Zvërnecit në Shqipëri.

 

Kushner bëri me dije se ka si qëllim të ndërtojë në Zvërnec 10 mijë njësi akomoduese turistike, ndërsa në Sazan do të ngrihen vila dhe hotele. Investimet në zhvillimin e pronave në rajonin e Ballkanit nga “Affinity Partners” mund t’i kalojnë 1 miliard dollarë. Firma me bazë në Miami ka në plan të transformojë ishullin e Sazanit, që më parë ka shërbyer si bazë ushtarake, në një komunitet luksoz eko-resort, tha Kushner në intervistë.

“Ishulli i Sazanit është një nga vijat bregdetare më të pacenuara dhe unike që kam parë kudo në botë,” tha Kushner .

 

“Affinity po kërkon gjithashtu të zhvillojë Gadishullin e Zvërnecit të Shqipërisë, një rajon bregdetar me më shumë se tre milje plazhe me rërë të bardhë të thellë. Firma planifikon të shtojë disa resorte kryesore në zonë, duke shkuar deri në afro 10,000 njësi vilash dhe dhoma hoteli me kalimin e kohës”, thuhet në artikull.

 

Kushner është dhëndri i ish-presidentit Donald Trump dhe ka shërbyer si këshilltar i lartë i Shtëpisë së Bardhë. Pasi la funksionin e tij në administratën amerikane, ai krijoi Affinity, ku zotëron asete prej 3.1 miliardë dollarësh.