Delvinjoti ekselent, që hyri në vemendjen e presidentit Bush

Nga Thoma Nika

Nuk di në cilin cep të globit mund të jetë sot Arbër Shameti dhe cili ka qenë fati i tij në jetë. Por do të sjell vëmendjen e rrallë që mori dekada më parë talenti i tij, deri për familjen Presidenciale Bush.

Arbri Shameti, do të ishte atëherë nxënës i klasës së shtatë në Newyork, kur iu dha Çmimi i Arsimit nga Presidenti Bush. Dhe mesazhet e përgëzimet patën mbërtitur në shkollën e qytetit të lindjes në Delvinë.

Një letër në shqip dhe anglisht, me nënshkrimin e njohur të Presidentit amerikan Bush, zinte kreun e vendit në stendën e nxënësve-yje të shkollës “Kosta Çavo” në qytetin e Delvinës.

Këtë privilegj ia jepte asaj ish-nxënësi i shkëlqyer Arbri Shameti.

Arbri bëri vetëm katër klasët e para të shkollimit fillestar në bankat e shkollës së Delvinës. Pas kësaj, kur prindërit e tij u bënë fitues të llotarisë amerikane, për Arbrin do të hapeshin të tjera mundësi. Familjarisht ndërruan monopatet e Delvinës me autostradat dhe gratacielat e Newyorkut. Kjo do të kishte qenë një “lloto” edhe për Arbrin. “Ishte një dhuratë që çdo prind do ta ëndërronte t’ia bënte një fëmije me të dhëna të veçanta intelekti, si të Arbrit”- do të na thosh Dëshira Kamberi, mësuesja që e shoqëroi atë që nga klasa e parë në të katërtën. Ajo kujton se Arbri shquhej për inteligjencë të rrallë, për kërkesa që kalojnë kufijtë e moshës për të qenë

sistematik dhe për përqendrim maksimal në mësime.

Tregojnë se ai ishte ndër nxënësit me përparim të shkëlqyer në mësime. E, si i tillë, fotografia e tij ishte e palëvizur nga stenda e krenarisë së shkollës.

Ai që fizikisht u mungon bashkëmoshtarëve të tij, duke lënë mjaft kujtime të mira dhe vyrtyte në mes tyre, ja ku ishte kthye sërish mes tyre. Jo vetëm me fotografi në vitrinën e nderit të shkollës, por edhe me mesazhe përgëzuese e përshëndetëse, të nënshkruar nga familja presdenciale amerikane, Bush.

Duke mundur të ruajë rezultatet e shkëlqyera në mësime, edhe në një sistem të ri shkollor e në metropolin e një planeti, që as e kish ëndërruar dot, djaloshi 14-vjeçar nga qyteti i Delvinës, hyri papritur në vëmendjen e familjes Bush në Amerikë dhe meritoi marrjen e Çmimit të Arsimit të Presidentit.

“Zonja Bush dhe unë-shkruhej ndër të tjera në letër-ju përcjellim urimet më të mira. Përgëzime për marrjen e Çmimit të Arsimit të Presidentit. Unë bashkohem me pjesëtarët e familjes dhe miqtë tuaj në mbështetjen për arritjet tuaja”.

Gjyshi Naim Shameti, duke na treguar atëherë për mbërritjen e letrës-mesazh të Presidentit Bush në qytetin e vogël të Delvinës, ecjen e nipit të tij, e quante si produkt të mësuesve delvinjotë, që dinë të ushqejnë dhe rrisin dashurinë për dijet, të mësuesve që, mbi të gjitha, të mësojnë se si duhet mësuar.

Në tufën e fotografie të nipërve e mbesave të tij, ajo e Arbërit duket sikur rri mënjanë. “Jam gjysh me një barrë nipër e mbesa dhe të gjithë i dua me shpirt, por te Arbri kam shumë shpresë”-do të na thosh ai. E këtë e shqiptonte me shumë emocion, duke nxjerrë përpara fytyrës së tij fotografinë e nipçes, që ia ka bërë qejfin gjyshit të përgjëruar e të malluar për të. “Na duket sikur e kemi në Delvinë Arbrin e vogël të nënës”- do të thosh gjyshja e tij, duke përmendur se si edhe zhbllokimin e televizorit ai ua bëri përmes telefonit, duke i këshilluar se cilin e cilin buton duhej të shkelnin. Dhe mos harroni, ishte vetëm 14-vjeç, 17 vite më parë.

Ndlërsa Luan Laze, që u gjend në rrethin e bisedës, kujton se në pritje për t’u bashkuar me prindërit e ikur tre vjet më parë në Amerikë, ishte ai që i dha Arbrit mësimet e para në gjuhën angleze. Mësues Luani kujton se ka mbetur i habitur nga dëshira dhe zelli i fëmijës, që ishte vetëm 10-vjeç atëherë, për t’u bërë “anglez” në Shqipëri. E, në se Arbri nuk humbi aspak kohë për t’u ambientuar dhe ushtruar me gjuhën, në qytetin e Newyorkut dhe menjëherë vijoi mësimet atje ku i kish lënë në Delvinë, mësues Luani nuk di të thotë se është merita e tij. E quan cilësi, intuitë dhe intelekt të një niveli të pakrahasueshëm të Arbrit me moshatarët e vet.

Për nivelin shumë të mirë të përvetësimit të gjuhës angleze qysh në Shqipëri dhe për cilësitë e rralla intelektuale, atij iu dha mundësia të vijonte mësimet në klasën e 6-të të sistemit amerikan, ku ai ruajti nivelin “shkëlqyeshëm”.

Për këto arësye Arbri Shameti meritoi vite më parë Çmimin e Arsimit të Presidentit dhe një letër falenderimi nga Shtëpia e Bardhë, me nënshkrimin e zonjës dhe zotit Bush. “Ju përgëzoj për sukseset tuaja-shprehen ata në letrën e tyre- Ju jap zemër gjithashtu që të vazhdoni studimin, duke bërë zgjedhje të shëndosha dhe që të ndihmoni fqinjët tuaj në nevojë”-shkruhej në letrën e çiftit presidencial Bush. Një letër që ze një vend të shndritshëm në historikun e shkollës 9-vjeçare “Kosta Çavo” të qytetit të Delvinës.