Personazh 2024: I thonë “Marubi i Sarandës”
Nga Thoma Nika
Luan Qendro ka një jetë me fotografinë. Nga objektivi i aparatit të tij fotografik ka parë gjithë etapat e historisë së Sarandës, nga koha e barakave buzë detit, te shumëkatëshet e sotme. Në filmotekën e tij gjendet jeta dhe personazhet e të gjitha kohërave. Një pasuri e tërë në celuloid. Prandaj atij i thonë “Marubi i Sarandës”.
E nisi si ndihmës disenjator te reparti i pikturës në shërbim të Estradës Profesioniste të Sarandës. E çuan në një kurs për kinomekanik. Por fotografia do të bëhej zanati i tij.
Ka kaluar nëpër duar 31 lloje aparatesh, prodhim nga më profesionalët e të gjitha kohërave, deri tek ata të sotmit, të teknologjisë dixhitale, me kartë memorje.
Kujton se Aparati i parë që i ra në dorë e që nuk e ndante nga vetja, ishte “Lajka” ruse. Ky aparat do të ishte edhe pengu i tij, pasi i mungon nga koleksioni i madh.
Thotë se fotografia bardhezi është dashuria e tij. Për këtë dashuri na flet pranë aparatit të stampimit manual, që është i vetmi në rajonin më jugor.
Puna e tij si fotograf përbën historinë e jetës ushtarake në këtë rajon, pasi deri në vitin ‘90, shkonte repart më repart e event më event. Edhe në dekadat më pas aparatin nuk e hoqi nga qafa. Ai vazhdon të fiksojë momente të bukura dhe personazhe tipikë të këtij qyteti.
Pasuria e tij janë bobinat e filmave bardhezi me 600 mijë negativë dhe 100 mijë dixhitalë. Prej kësaj pasurie, më shumë se 400 copë i ka dixhitalizuar dhe i mban të konservuar e të skeduar në kuti të posaçme, që hapen me kode, të cilët vetëm ai i di.
Luan Qendro është nderuar me dy çmime në konkurse kombëtarë për fotografinë, ndërkohë që më 2016 iu dorëzua Medaljoni “Artisti Fotograf i gjysmëshekullit”.
Ajo që i merr të shumtën e kohës sot, është puna në studjon e fotos digitale, në retushim fotografish dhe sidomos në linjën e bërjes së kornizave për fotografitë.
Për të mos shkuar humbur e tërë kjo trashëgimi, artisti fotograf i gjysmëshekullit syrin e ka te Bjori, nipi për të cilin thotë se tregon të njëjtën dashuri për artin e fotografisë.