Të armatosur për të rrëmbyer 49-vjeçarin, policia ndërhyn në kohë dhe arreston 4 persona në Sarandë
Plani për të rrëmbyer një 49-vjeçar në Sarandë është shkatërruar nga policia që ndërhyri në kohë.
Në pranga ranë 4 persona; vëllezërit J. B. 28 vjeç, S. B. 27 vjeç, si dhe A. T. 20 vjeç dhe Gj. P. 29 vjeç.
Këta persona udhëtonin me një makinë tip BMW kur u ndaluan nga policia pas informacionit që uniformat blu kishin marrë në rrugë operative.
Në vendin e pasagjerit ku ishte ulur J.B. u gjet një pistoletë dhe lidhëse plastike. 4 të arrestuarit kishin planifikuar të merrnin peng një 49-vjeçar pas një sherri që kishin me të për motive të dobëta.
Ata akuzohen për “Heqja e paligjshme e lirisë”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit luftarak”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.