“Më kërkoi ta fusja në lojë”, Neritan Novi tregon ç’ka ndodhur: Albi Selimaj më goditi me vëllain e tij
Disa orë më parë nga mediat lokale të Sarandës, u raportua se një ngjarje aspak e zakonshme kishte ndodhur gjatë miqësores Butrinti-Memaliaj. U tha se trajneri i Butrintit, Neritan Novi kishte goditur një nga lojtarët e tij, Albi Selimajn. Dhe si shkak i sulmit të trajnerit, lojtari është transportuar për në spital.
Por trajneri i Butrintit, Neritan Novi ka përgënjeshtruar lajmet ku thuhej se ai ka dhunuar futbollistin e ekipit të tij, Albi Selimajn. Në një prononcim ekskluziv për Newsport.al, Novi tregon se ishte krejtësisht e kundërta, pasi ka qenë futbollisti dhe vëllai i tij që e kanë dhunuar atë.
“Ka mbaruar pjesa e parë në miqësoren Butrinti — Memaliaj. Në pushim të ndeshjes ka ardhur lojtari rezervë i ekipit të Sarandës dhe më ka kërkuar pse nuk futem të luaj. Ma kërkoi në mënyrë publike para të gjithë tifozëve, dhe i kërkova të sqarohemi në dhomat e zhveshjes. Në momentin që e kam pritur në hyrje, për t’u futur në dhomat e zhveshjes, ai lojtar bashkë me vëllain e tij që nuk e njihja, kanë ardhur dhe më kanë sulmuar të dy.
Dhe pas kësaj situate, janë futur shumë njerëz, se ka pasur shumë tifozë dhe unë jam futur në dhomat e zhveshjes dhe nuk kam parë më çfarë ka ndodhur dhe çfarë është bërë. Albi Selimaj bashkë me vëllain e tij më kanë goditur. Portali në Sarandë që e ka nxjerrë lajmin, që kam goditur lojtarin, e ka përgënjeshtruar. Në stadium ka kamera, nëse e kam goditur unë të hapen kamerat e stadiumit”, është shprehur Neritan Novi.