Grabiti byzylykun e floririt nën kërcënimin e thikës, arrestohet 18-vjeçari në Sarandë
I mori byzylykun e floririt, një shtetasi, duke e kanosur atë me mjet prerës (thikë), falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Forcës së Posaçme “Shqiponja” të Komisariatit të Policisë Sarandë, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga 18-vjeçari.
Sekuestrohet mjeti prerës (thikë). Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të Komisariatit të Policisë Sarandë, pas marrjes së njoftimit se në lagjen nr. 3, Sarandë, një shtetas i kishte marrë byzylykun e floririt, një 19-vjeçari, duke e kanosur me thikë, dhe më pas ishte larguar, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e tij.
Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve të Policisë, u bë i mundur identifikimi, lokalizimi dhe kapja e autorit të dyshuar, shtetasit A. S., 18 vjeç, banues në Sarandë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjeti prerës thikë dhe 1 aparat celular.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi i shtetasit A. S., për veprën penale “Vjedhja me dhunë”, dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.