VIDEO/ Saranda, gati të presë vizitorët për festa: Qyteti vezullon nga dritat, pritet fluks turistësh
Kjo është pamja që ka marrë këtë fundvit Saranda. Qyteti është zbukuruar si asnjëherë më parë. Shëtitorja buzë detit është shndërruar në një treg Krishtlindjesh.
Përveç bredhit, janë edhe një numër i madh dritash që kanë ndriçuar të gjithë shëtitoren. Ata që zgjedhin të shijojnë këtë atmosferë mund të ulen e të konsumojnë diçka apo të blejnë në këto shtëpiza.
Është menduar edhe për të vegjlit, të cilët mund të argëtohen duke luajtur. Vendasit dhe vizitorët, të cilët janë të shumtë në këto ditë thonë se asnjëherë nuk e kanë parë Sarandën kështu.
“Urojmë që kjo të jetë një vazhdimësi ndër vite.”
“Besojmë se ja vlen për t’u vizituar dhe pse jo të vijnë sa më shumë turistë.”
Njësitë akomoduese janë bërë gati për të pritur një numër të madh vizitorësh. Operatorët turistikë në qytetin bregdetar thonë se rezervimet janë të shumta edhe nga turistë të huaj. Ata që kanë zgjedhur ta vizitojnë Sarandën në këtë periudhë janë kryesisht nga vendet e rajonit, nga Italia dhe Greqia.
Për herë të parë, qyteti bregdetar që pret mijëra turistë gjatë verës, përballet me një fluks të tillë vizitorësh në këtë periudhë. Nga bashkia e Sarandës, thonë se tregun e Krishtlindjes do ta kthejnë në një traditë.
“Është dekoruar për herë të parë përgjatë të gjithë gjatësisë së saj. Janë vendosur shtëpiza, të cilat janë një risi dhe sjellin zhvillimin e jetës ekonomike, tashmë edhe në dimër këtu në Bulevardin e Sarandës.”
Saranda është renditur ndër destinacionet më të bukura të Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri në Europë. Revista “Forbes” e renditi ndër 20 qytetet europiane ku ia vlen që të kalohen festat.