Klosi nga Kongresi: PS ia doli të përfaqësojë interesat e gjithë qytetarëve shqiptarë

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Blendi Klosi deklaroi sot PS është sot një pikë e rëndësishme, jo vetëm në rajonin tonë, por në të gjithë të majtën europiane dhe më gjerë.

Në fjalën e tij, në nisje të punimeve të Kongresit të Partisë Soacialiste që po mbahet në Tiranë, Klosi tha se Rama mbajti fjalën e e dhënë në fillimet e opozitës në vitin 2005 për një PS të fortë e të pathyeshme.

“I dha fjalën Edi Rama këtij kongresi dhe PS-së, në fillimet e opozitës, në 2005, se e para do të jetë puna, për të organizuar një PS të fortë, të pathyeshme dhe krenare, një parti që të jetë besnike e Shqipërisë dhe interesave të qytetarëve të saj. Një parti të mirëoganizuar në çdo qelizë të saj, që njeh dhe jeton me valën e qyteteve, zhvillimin e fshatit, që i përkulet çdo halli dhe dhe ballafaqohet me çdo fuqi”, tha Klosi.

Sipas tij, PS ja ka dalë të fitojë çdo betejë elektorale.

“Duke punuar shumë, ia kemi dalë të jemi shumë të fortë dhe të fitojmë çdo betejë elektorale, të organizohemi, jo vetëm me 100 mijë anëtarët tanë, por të gjithë progresistët e këtij vendi, duke ndërtuar një mur të madh elektoral, në përballje të të cilit janë shkërmoqur të gjithë kundërshtarët tanë bashkë, apo veç e veç, në koalicion apo jo, të gjithë ata janë shkërmoqur përballë nesh”, theksoi më tej.

Klosi bëri të ditur se kjo parti mbajti premtimet e dhëna për zhvillimin e vendit.

“Ia kemi dalë të mbajmë fjalën e dhënë në sektorët vital të jetës së këtij vendi. Në këtë kongres do të flasim si do ta rienergjizojmë më shumë partinë, si t’i japim më shumë forcë, të jetë e gatshme jo vetëm të fitojë garën e vitit 2025, por edhe të përfaqësojë interesat e gjithë qytetarëve shqiptar.

PS është bërë një pikë e rëndësishme, jo vetëm në rajonin tonë por në të gjithë të majtën europiane dhe më gjerë”, u shpreh Klosi.