Anila Denaj: 8 projekte për infrastrukturën e ujitje kullimit, financim për mbrojtjen e digave

Projektbuxheti 2024 për bujqësinë ka në fokus mbështetjen e drejtpërdrejtë të fermerëve për rritjen e prodhimit, eksporteve, sigurinë ushqimore dhe fuqizimin e ekonomisë rurale.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj gjatë prezantimit sot në Komisionin e Kuvendit të Veprimtarisë Prodhuese Tregtisë dhe Mjedisit, të projektbuxhetit 2024 për Bujqësinë dhe Zhvillimin Rural tha se “projektbuxheti për vitin 2024 për MBZHR është parashikuar në total me 14.18 miliardë lekë”.

Ajo theksoi se, projektbuxheti mbështet sektorë të rëndësishëm të bujqësisë, teksa u ndal tek rritja në shpenzimin për fondin e pagave me + 28.4 %, që garanton edhe për këtë ministri mbështetjen e plotë të politikës së rritjes së pagave.

Denaj tha se, kemi rritje me 4.8 % të shpenzimeve operative. Projektbuxheti adreson mbështetje për 8 projekte të rëndësishme në infrastrukturën e ujitjes dhe kullimit.

“Me synimin e përmirësimit të ujitjes ne synojmë që rreth 8 mijë ha financohen me 8 projekte me vlerë 376.8 milionë lekë, me synim rehabilitim-ndërtimin e 10 km argjinaturë për mbrojtjen nga gërryerja dhe përmbytja e tokave bujqësore dhe zonave të banuara, kryesisht në lumenj janë planifikuar të financohen rreth 20 objekte me vlerë 763.3 milionë lekë. Denaj theksoi se pjesa më e madhe e tyre janë projekte në vijim dhe me këto përfundon angazhimi i ndërmarrë përgjatë vitit korrent dhe më parë, duke finalizuar një pjesë të rëndësishme të infrastrukturës me objekte por edhe në vlerë ekonomike”, tha Denaj.

Gjithashtu, vijoi ministrja, ne shtojmë për herë të parë financimin dhe numrin e punonjësve për monitorimin e përditshëm të sigurisë së digave në administrim të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

“Kemi dakordësuar me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë përfshirjen e zërit mirëmbajtje digash të rezervuarëve nga bashkitë përkatëse dhe ndërhyrjen në investime emergjente me një fond prej gati 500 milionë lekë për mbrojtjen e digave”, tha Denaj.

Ministrja tha se shumë e rëndësishme dhe në fokus të veprimtarisë së Ministrisë së Bujqësisë është edhe vaksinimi masiv në blegtori si pjesë e rritjes së sigurisë ushqimore.

“Kemi parashikuar që me një fond prej 32 milionë lekësh të mundësojmë vaksinimin e të paktën 1.7 milionë kafshëve të imta dhenë dhe dhi kundër sëmundjes së brucelozës, i cili është një fond i rëndësishëm për të garantuar sigurinë ushqimore për të gjithë ne. Certifikimi i produkteve bujqësore dhe fermave organike mbetet në fokus dhe ka program të veçantë, sikurse edhe ndërtimi i tregjeve të produkteve bujqësore. Një nga objektivat e ministrisë është që të kthejë jo vetëm vëmendjen drejt tregjeve në disa qytete dhe këtu janë 5 bashki, të cilat janë angazhuar me një fond përgjatë viteve 2021-2022-2023 për tregje në qytete. Por ne po mendojmë që, në dy vitet e ardhshme të punojmë edhe për tregjet tradicionale, të cilat nuk janë në këto qytete, por janë në kryqëzime aty ku ndodh tregtia me shumicë dhe realizojnë bashkëpunim me të gjithë operatorëve në këto zona”, theksoi Denaj.

Në programin e menaxhimit të infrastrukturës buxheti total është 2.6 miliardë lekë.

Denaj u ndal në mbështetjen për peshkimin me një buxhet prej 473 milionë lekë, ku fokusi është zhvillimi i qëndrueshëm i peshkimit dhe akuakulturës, shfrytëzimi i përgjegjshëm i burimeve peshkore.

“Ne synojmë që të kemi një rritje të produkteve peshkore me 20-30 % dhe të rrisim eksportet të paktën në masën 60-70 %. Sigurisht, një reformë shumë e mirë këtu është pjesa e peshkut ton që jemi shumë krenarë që kemi realizuar me import-eksportin dhe cilësinë e tij. Duhet të shikojmë se si infrastruktura për të zhvilluar më tej ekonominë e  akuakulturës do na mundësojë edhe për produktet e tjera në sektorin e asaj që quhet ekonomia blu, për të cilën kemi edhe një mbështetje me një projekt të qeverisë italiane, që shpresoj që vitin tjetër të japë një dinamizëm dhe një mbështetje më të madhe këtij sektori”, tha ministrja.

Tjetër fushë që përmendi ministrja Denaj është programi i këshillimit  dhe informacionit bujqësor.

“Me një buxhet prej 679 milionë lekë ne synojmë mesatarisht që 50 mijë fermerë të asistuar nga agjencitë tona rajonale të ekstensionit bujqësor të kenë një asistencë teknike për aplikimin në Skemat Kombëtare. Janë 500 mijë gra fermerë që parashikohet në program të informohen dhe të trajnohen çdo vit nga shërbimi këshillimor publik dhe  që pritet të rritet mbështetja dhe fuqizimi i gruas në atë që është ekonomi dhe atë rurale edhe më shumë. Janë rreth 78 mijë fermerë që parashikohet të vijojnë të informohen sikurse çdo vit janë informuar dhe asistuar për strukturat tona të ekstensionit”, u shpreh Denaj.

Në programin menaxhim i qëndrueshëm i tokës bujqësore, një buxhet i planifikuar në vlerën prej 25 milionë lekë synon krijimin e informacionit për tokën.

“Ministria e Bujqësisë 2-3 vitet e ardhshme do të punojë në mënyrë të padiskutuar për ta fuqizuar informacionin digjital me regjistrin e tokës. Ne jemi duke punuar edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë FAO-n, Bankën Botërore. Në vijim shpresojmë të kemi mundësi që regjistri i tokës dhe gjithë sistemet të integrohen sipas të gjitha standardeve që kërkon edhe BE-ja”, tha Denaj.