Vangjel Taho, i lindur dhe i rritur me kulturën

Nga Thoma Nika

Po bëhen më shumë se 45 vite, që kur Vangjel Taho është shfaqur si kulturëbërës, në hapësirën më jugore të vendit, nga Vrina në Konispol. Një kulturëdashës si fillim e pastaj si një kontributor i rëndësishëm e shumë i spikatur në zhvillimet dhe eventet kulturore e artistike, të organizuara në këtë territor.

Janë me dhjetëra prezantime e performanca me pretendime dhe me prekje të trofeve, në festivale folklorike, koncerte dhe shfaqje teatrore të grupeve të shumta.

Të ngulitura në memorjen komunitare organizimet plot fantazi në evente lokale, që kanë patur në fokus produktin lokal të mandarinës,

I lindur në ditën e parë të dhjetorit 1956, në një familje fare të thjeshtë mursiote, Vangjeli, do të dallonte nga bashkënxënësit e tjerë, si gjatë ndjekjes së mësimeve në shkollën 8-vjeçare të Mursisë, ashtu edhe në aktivitete artistike. Vit pas viti do të shpreheshin më dallueshëm dashuria e tij për lëndën e letërsisë, për recitimin dhe komentin. E po ashtu, do të binte në sy të mësuesve pasioni për t’u aktivizuar në aktivitete e në grupet artistike në shkollë e jashtë saj.

Kjo prirje dhe orientim i tij drejt skenës dhe artit, do të zhvillohej edhe më tej, me mundësitë që dhanë për të katër vitet e moshës rinore, ato katër vite të vrullshme kur ishte nxënës i gjimnazit “Bido Sejko” të Konispolit. Dëftesa e tij e pjekurisë së marrë nga ky gjimnaz, mban vitin 1975. Përfytyroni një djalë të ri, të kësaj fotografie shprehëse të energjisë së moshës, të shkolluar e me dije në të gjitha disiplinat shkollore. Por, si rrallë kush, edhe të rritur në sa e sa aktivitete e grupe artistike, që gjenin skenën në të gjitha fshatrat e krahinës, nga Ninati e Markati, në Shalës, Vërvë e Dishat, për t’u shfaqur më gjatë në fshatin e vet të lindjes, në Mursinë e dashur, pa lënë mënjanë Shkallën, Xarrën, Vrinën e përtej lundrës së famshme, që tërë kohën ka lidhur brigjet me qytetin antik të Butrintit, me Ksamilin e brezareve rinore dhe me Sarandën si kryeqendër. Mësuesi më i dashur për të u bë Bashkim Kuçuku, ai që edhe vetë përhumbte në komentet letrare gjatë orës së mësimit dhe që i dha krahë fantazisë krijuese të Vangjelit. Është ky mësues, që, duke ndjekur rrugëtimin në dekadat që pasuan, flet me admirim për ish-nxënësin e ndryshëm në interesa, tek i cili gjen sot një faktor kulturimi në të gjithë krahinën.

Profili i sotshëm I Vangjel Tahos, si “motorr” i jetës kulturore, do të merrte “vulë” kur ai do të bëhej njeriu që do të ndiqte ëndrrën e vet. Sa do të ëndërronte që prirjes natyrore për të bërë art, t’i vinte edhe një bazë teorike, duke ndjekur një shkollim profesional në këtë fushë.

Prindërit, duke nisur nga nëna, që nuk dinte shumë nga kjo punë, por sidomos xha Thomai, që e shihte gjithnjë e më të ndezur zjarrin e pasionit të Vangjelit për punë kulture, thanë: sikur një herë në ditë të hamë, këtë djalë nuk e lemë të merret me punë që nuk di t’i bëjë”. Dhe kështu u bë.

Vetëm dy vite pas përfundimit të gjimnazit në Konispol, iu dha shansi të ndiqte një profilizim për regjisurë në Tiranë. Institucionet kulturore në ish-Ndërmarrjen Bujqësore të Vrinës, mezi e prisnin. Sidomos vatra e kulturës në Mursi, pas emërimit në krye të saj të Vangjel Tahos, u kthye në një vatër, ku nuk shuhej zjarri i aktiviteteve, nga ato të kulturës masive si tribuna të eksperiencës dhe halleve të buqjve e blegtorëve, tek koncertet me folklor, me mbrëmje muzikore e këngë rinore, tek anketat muzikore e shfaqjet teatrore.

Vatra gjallonte mbrëmjeve nga lëvizja amatore e rinisë shkollore dhe e asaj që ditën u shërbente të mbjellave e të korrave dhe darkave bënte art, nën drejtimin e Vangjelit. Vetëm pas një viti punë plot pasion, Mursia filloi të bëhej kryefjalë, deri në skena Festivalesh të mëdha Kombëtare, siç ishte ai i Gjirokastrës.

E puna e mirë u kthye në fjalë të mirë, që përhapet si era. Dhe vlerësimi i siguruar u bë motiv për të shumuar aktivitetet në skenën e vogël të fshatit, në Mursinë e dhënë pas artit.

Ato pak dije që kishte marrë në kursin e regjisurës, e shumëfishuan veten, prej punës së bërë me njerëz, të cilët besuan tek ai. Me shumë guxim, synoi, besoi dhe ia doli të ngrerë një grup modest të teatrit amator në këtë fshat. “Një lindje në shtërngatë” e të mirënjohurit e të paharruarit Serafin Fanko, do të pritej mirë kjo trupë, me shfaqjet e saj të dhëna zinxhir: në Ksamil Sarandë, Delvinë e gjetkë. Ishte viti 1982. Kjo arritje, jo e pakët, do të pasohej, katër vite më vonë, me vënien në skenë të dramës “Mësuesi i letersisë”. Protagonistë të saj u bënë nxënës-artistë të shkollës së mesme të Mursisë. Ka mbetur në memorjen e lëvizjes artistike, ajo që u arrit të bëhej me estradën amatore të ish-Ndërmarrjes Bujqësore të Vrinës, e cila pati një pritje të jashtëzakonshme jo vetëm në Sarandë, por deri Dajç, në Shkodër e Kamëz.

Në kalendarin e aktiviteteve ze gjithashu një vend të veçantë drama e Fadil Krajës, “Hija e fatit”, e vënë në skenë me trupën amatore të Mursisë, Kjo I takoi vitit 1989, shumë pranë kufirit që ndau kohën e ndërrimit të sistemeve.

Ndërsa fiks në këtë kufi, në vitin 1990, duke pasur të lidhur fort me punën një Vangjel të pandikuar nga shenjat e “tërmetit” të pritshëm, u mundësua organizimi i festivalit të parë të këngës, që ngjiti në skenë këngëtarët amatorë të ish ndërmarrjes, me shtrirje nga Vrina deri në Shkallën e barinjve. Nuk kishte kohë për të menduar se ai festival i parë, do të ishte edhe fundi.

Ndërrimi i sistemeve, të parën goditje e dha në zemër të institucioneve të kulturës dhe artit. Kjo situatë, e bëri Vangjelin që të provonte fatin e emigrantit, në Korfuzin fqinjë. Jo pak, por 12 vite radhazi, larg skenës, larg amatorëve, larg ëndrrës.

Nuk i bëri zemra të ndahej përgjithmonë nga këto dashuri të përjetshme. Ndaj viti 2004 e gjeti të rikthyer atje ku u nis, në Mursinë e dashur, në ish-komunën e Xarrës, ku i thanë “eja, na duhet shpirti yt krijues, dora jote organizuese”.

Rimori drejtimin e Qenrdës Kulturore të Mursisë. Me energji të tjera, me vizione të reja, me më shumë pretendime, që ecnin me kohën.

Puna e parë e madhe ishte ideimi dhe organizimi i asaj që u quajt Festivali i Mandarinës, në vitin 2005, kur sapo kjo zonë kishte nisur të identifikohej si “Toka e Mandarinave”.

Ishte një konfirmim i prirjes së kësaj zone, që kishte gjetur veten, me një qasje të re zhvillimi. Ishte një çertifikim edhe për Vangjelin, si realizues i një eventi të atillë, të përmasave të mëdha, që pati mbështetjen dhe bekimin e USAID-it. Festivali i Mandarinës u konfirmua si një event lokal shumë tipik dhe i përvitshëm, që vitet e fundit ka mbështetjen e qeverisë gjermane, përmes Projektit të mirënjohur GIZ, që operon në Shqipëri.

Më 2010 Qendra Komunitare e Mursisë hapi dyert edhe për Ekszpozitën e piktorit e skulptorit Pëllumb Beqiri nga Konsipoli, ku zotëruan motive fshati në telajo.

Në po atë vit, dora organziuese dhe cilësitë krijuese e regjisoriale të Vangjelit ishin prezente në programin e përgatitur për 100 vjet histori arsimi shqip ne Konispol.

Spikati teksti i këngës “Konispol djep historie”, me autor Vangjel Tahon dhe kënduar nga Gëzim Kaso. Sprovat e tij nuk mugojnë edhe si një dokumentarist i vërtëtë.

Autorësinë Vangjel Taho, mbajnë edhe dokumentari “Një jetë me nxënësit”, kushtuar mësuesve Fadil Kosova dhe Hekuran Shehu, si dhe realizimi I dokumentarit “Fajtore pa faj”, kushtuar Katerina Çifteli, vajzës mursiote që e mbylli jetën e re në mënyrën më të pamerituar, në kampet e internimit komunist.

Harta e re territoriale, e vitit 2015, e treti ish-Komunën e Xarrës, duke e bërë një njësi administrative, të përfshirë në Bashkinë e Konispolit. Profili I saj kryesisht bujqësor, do të ishte i paplotë, pa asete që lidhen me trashëgiminë historike, patriotike e kulturore, me folklorin e pasur, me banesat që përcjellin histori, me kulinarinë e zhvilluar. Këto asete të vyera, që kishin dhe kanë nevojë për t’u hequr pluhurin, për t’i promovuar e për t’i bërë të shkëlqejnë, u bënë “lënda e parë” e punës së një shërbëtori të kulturës materiale e shpirtërore të kësaj zone, si Vangjel Taho.

Një kulm më vete ishin veprimtaritë e organizuara në kornizën e 100-vjetorit të Bashkisë së Konispolit.

Qëlloi që koncerti i parë si kryeshërbëtor I kulturës për Bashkinë e Konispolit, ishte ai që i kushtohej 71-vjetorit të çlirimit të Konispolit.

Si njeri që thyen stampat, integroi në të edhe elementë të zhanreve Balet Dance, Montazh poetik etj., të cilat u pritën me entuziiazëm nga publiku,

Produktet teatrore mbetën pjesë e planeve krijuese dhe, në bashkëpunim me shkollën e mesme Konispol, u vunë në skenë dramat “Vogëlushe Vesa”, e shkrimtarit Pajtim Çaushi, më 2018, “Vëllazëri me interes” nga Kristo Floqi më 2021.

Një koleksion më vete bëjnë kupat e sjella nga trupat e grupet folklorike që ka formatuar dhe drejtuar vitet e fundit Vangjel Tahua. Atyre u takoi Kupa e Festivalit të Këngës dhe Valles për Çamërinë, në vitin 2015, Kupa e sjellë nga Festivali i parë i Plavë-Gucisë dhe Kosovës, më 2016.

Në Festivalin e “Gurra Fest”, të organizuar nga Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Vlorë, me shkollat e mesme të qarkut Vlorë, ka spikatur gjithmonë performanca e konkurrentëve nga Bashkia e Konispolit. Ka ndodhur pikërisht kështu: më 2019 që ishte festivali i parë. Kupa shkoi për shkollën 9-vjeçare Xarrë. Më 2020 klasifikimi ishte për vendin e dytë, me shkollën e mesme Konispol. Dy vite më vonë, kjo shkollë do të shënonte ngjitjen dhe prekjen e Kupës së këtij eventi rajonal. Vlerësim fitues meritoi grupi konispolat edhe në “Gurra Fest” 2023.

Vangjel Taho është ndër ata njerëz, që shifra e viteve të jetës së jetuar, e kategorizon në grupin e moshës së tretë. Por, falë punës që ka bërë e vazhdon të bëjë, me njerëzit e skenës, të artit, kësaj shifre i bën zbritje të pabesueshme.

Ai nuk di të ndalet në punën që di të bëjë më mirë. Dhe ajo ia shpërblen, duke e mbajtur përherë në lëvizje, në kërkim, në krijim e në realizim të vlerave më të bukura.

Të gjitha këto u kthyen në arësye e në motiv që Vangjel Taho të nderohet mbrëmjen e 24 tetorit 2023, me titullin “QYTETAR NDERI” i Konispolit. Depse: “Me punën organizuese, realizuese dhe drejtuese në zbulimin, promovimin dhe jetëzimin e vlerave të trashëgimisë shpirtërore e materiale të krahinës së Konispolit, e keni dimensionuar veten si një personalitet i kësaj fushe. Falë kërkimit tuaj pasionant në thesarin e vlerave të folklorit dhe historisë së zonës, ato janë bërë të njohura për publikun vendas e të huaj dhe janë vlerësuar si prurjet më të mira, të transmetuara me shkëlqimin origjinal në skena festivalesh e kompeticione të shunta”.

Ky motivacion shoqëroi titullimin e tij “Qytetar Nderi”. Por kjo është edhe “formula” e Vangjelit, për të shumuar, pavarësisht moshës, energjitë dhe vlerat e vetes dhe të njërëzve që e rrethojnë në këtë udhëtim pa stacione.