Përurohet busti i Mitsotakis në Dropull, Rama: Do të kisha dëshiruar që këtu të ishte edhe Kyriakos

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka marrë pjesë sot në inaugurimin e bustit të ish-kryeministrit të Greqisë, Konstantinos Mitsotakis, në Dropull.

Kreu i qeverisë shqiptare e nisi fjalën e tij me përshëndetje në greqisht.

Kryeministri nuk kurseu as batutat me kryetarin e Bashkise se Dropullit, i cili mbante çadrën për të, duke i thënë se “nëse do t’i shërbesh të gjatit, duhet të zgjasësh dorën”.

Sheshi i rilindur të Derviçanit do të mbajë emrin e Konstantinos Mitsotakis, i pari kryeministër i Greqisë që vizitoi Dropullin.

“Busti i tij do të qëndrojë si shembëlltyra e të vërtetës historike, se ajo që i bashkon qysh në lindje të kohërave popujt e vendet tona është përjetësisht më e madhe, se sa çfarëdoqoftë mund t’i ketë ndarë a ndajë përkohësisht, për arsyet e mosarsyes së politikë”, tha Rama.

Kryeministri shqiptar tha se do të donte që homologu i tij grek të ishte prezent në përurimin e bustit të babait të tij, Konstantinos Mitsotakis.

Teksa i konsideroi shqiptarët dhe grekët si popuj vëllezë, Rama theksoi qe do te ishte mirë që tensionet mes vendeve tona, te mos ndodhin.

“Mjafton ta kesh parë në një material arkivor të televizionit grek ku ai flet me sensin aristokratik të humorit, për kokëfortësinë e gruas së tij arvanitase. Kjo ushqen dhe lidhjen e pandashme mes dy vendeve tona, që e shkuara i ka përzierë aq shumë, saqë po mos t’i dallojë gjuha, asgjë s’i bën të pandashme.

Do të kisha dëshiruar që këtu të ishte sot Mitsotakis, por me siguri që ai do të kthehet në këtë shesh, pasi që nga sot sheshi mban emrin e të atit. Më vjen mirë që këtu bashkë me mua është një deputet, tashmë i thinjur”, tha Rama.

Referuar tensioneve të fundit mes Shqipërisë dhe Greqisë, për çështjen Beleri, kreu i qeverisë u shpreh se “politika elektorale trazon edhe rrjedhën e vëllëzërisë”, por theksoi se gjithçka do të rregullohet”.

“Fatkeqësisht politika elektorale me nevojat e saj jo domethënëse per fatet e popujve tanë trazon edhe rrjedhën e natyrshme të vëllazërisë qysh në lindjen e kohërave.

Por janë gjëra që kalojnë edhe pse do të ishte mirë që të mos ndodhnin. Sic ishte mirë të mos ndodhin, por herë më lehtë edhe herë më vështirë kalojnë edhe sherret mes vëllezërit që jetojnë në një shtëpi.

Trazimet dhe keqkuptimet jo vetëm kalojnë, por e bëjnë edhe më me kuptim lidhjet e pandashme mes dy popujve dhe vendeve tona, për të cilat edhe dy kundërshtarët e paepur, Konstantinos Mitsotakis dhe Andrea Papandreou jo vetëm kishin të njëjtën bindje, por bënë çka mundën  në kohën e shkurtër që patën pushtet në kohën kur Shqipëria sapo doli nga izolimi”, tha Rama.