Operacioni “Mjegulla” në Sarandë, policia jep detajet e plota

Është finalizuar pas 3 muajsh hetime, operacioni policor i koduar “Mjegulla”.

Si rezultat i këtij operacioni është ekzekutuar masa “arrest në burg” për  4 punonjës të IVMT Sarandë, dhe masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për 2 punonjës të IKMT Vlorë, të cilët akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën duke favorizuar dhe lejuar shtetas të ndryshëm, për të kryer ndërtime, në Sarandë dhe në Ksamil.

Gjithashtu, në zbatim të vendimit të Gjykatës, u vendos sekuestro preventive mbi 16 objekte të ndërtuara pa leje, në zonën e Ksamilit.

Njoftimi i policisë:

Sarandë/Finalizohet pas 3 muajsh hetime, operacioni policor i koduar “Mjegulla”.

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë.

Ekzekutohet masa e sigurisë “Arrest në burg”, për 4 punonjës të IVMT Sarandë, dhe masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për 2 punonjës të IKMT Vlorë, të cilët akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën duke favorizuar dhe lejuar shtetas të ndryshëm, për të kryer ndërtime, në Sarandë dhe në Ksamil.

Gjithashtu, në zbatim të vendimit të Gjykatës, u vendos sekuestro preventive mbi 16 objekte të ndërtuara pa leje, në zonën e Ksamilit.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Sarandë, në vijim të zbatimit të planit të masave për goditjen e veprimtarive së paligjshme në fushën e krimeve ekonomike dhe në kuadër të procedimit penal të regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridisksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Mjegulla”.

Si rezultat, u bë ekzekutimi i masave të sigurisë të caktuara nga Gjykata e Shkallës së Parë e Juridisksionit të Përgjithshëm Sarandë, më datë 16.10.2023, për 6 shtetas, punonjës të IVMT Sarandë dhe të IKMT Vlorë.

Konkretisht, janë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasit:

– A. M., 55 vjeç, me detyrë kryeinspektor i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, Sarandë;
– E. Z., 48 vjeç, B. K., 37 vjeç, V. Xh., 62 vjeç, me detyrë inspektorë të këtij Inspektorati.

Janë ekzekutuar masat e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasit E. Ç., 43 vjeç dhe D. B., 33 vjeç, me detyrë inspektorë të IKMT Vlorë (përgjegjës për territorin e bashkisë Sarandë).

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta shtetas kanë shpërdoruar detyrën duke favorizuar dhe lejuar shtetas të ndryshëm, për të kryer ndërtime pa leje, në territorin e bashkisë Sarandë, kryesisht në zonën e Ksamilit.

Gjithashtu, bazuar në vendimin e datës 16.10.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, u vendos sekuestro preventive mbi 16 objekte të ndërtuara pa leje, në zonën e Ksamilit.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.