Kush janë zyrtarët e arrestuar në Sarandë / Detajet nga hetimet
Një punonjës i Urbanistikës në Bashkinë Sarandë dhe një inspektor i IKMT-së janë arrestuar të enjten nga policia, në kuadër të një hetimi që ka zbuluar një skemë ryshfeti në administratë për të favorizuar një biznes në Ksamil, në pronësi të dy personave.
Në pranga u vu Ariel Balani punonjës në Zyrën e Urbanistikës në Bashkinë dhe Julian Preni inspektor i IKMT-së. Ndaj tyre, me kërkesë të SPAK, GJKKO ka caktuar masën e sigurisë arrest me burg në mungesë.
Balani akuzohet për veprën penale, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Ndërsa Preni për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Procedimi penal për rastin është regjistruar nga Prokuroria e Posaçme në vitin 2022, pas referimit të materiale hetimore nga prokuroria e Sarandës për kompetencë.
12 mijë euro për lejen e plazhit, pazari që s’u mbyll
Nga hetimet e SPAK ka rezultuar se S.D. dhe F.D. janë përballur me një situatë problematike për pajisjen me leje për shfrytëzimin e plazhit në Ksamil ku kishin ndërtuar një objekt.
Ariel Balani duke qenë punonjës në Zyrën e Urbanistikës në Bashkinë Sarandë ka ndërvepruar me dy pronarët, të cilëve iu ka kërkuar 12.000 Euro për të ushtruar ndikim të paligjshëm tek Agjencia Kombëtare e Bregdetit për t’iu nxjerrë lejen e shfrytëzimit të plazhit.
Në Korrik të vitit 2021, Balani ju ka marrë atyre shumën prej 6.000 Euro dhe kanë biseduar që pjesën tjetër do t’ia jepnin kur të nxirrej leja, por më vonë marrëveshja nuk është arritur të realizohej dhe Balani ia ka kthyer shumën monetare.
Sa më sipër, sqaron SPAK, rezulton se ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se Ariel Balani ka konsumuar elementë të veprës penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
3 mijë euro për të mos zbatuar urdhrin e IKMT
Gjithashtu, nga hetimi rezulton se F.D. dhe S.D. kanë patur probleme edhe në lidhje me një objekt të ndërtuar nga ata në Ksamil, për të cilin kishin nisur procedurat e legalizimit.
Gjatë inspektimeve të kryera nga IKMT-ja në vitin 2019, subjekti “F. D.” është proceduar me masë administrative.
Në muajin mars të vitit 2020, Julian Preni me detyrë inspektor i IKMT-së i ka kërkuar shtetasit F.D. shumën monetare 7.500 Euro, për të mos i prishur objektin që kishte ndërtuar në plazh Ksamil, por pasi kanë negociuar ai i ka dhënë Julian Prenit shumën prej 3000 Euro dhe nuk i është prishur objekti në vitin 2020 edhe pse ka pasur vendim prishje nga IKMT që prej muajit Shtator të vitit 2019.
Nga dokumentacion i administruar nga IKMT rezulton se objekti i shtetasit F.D. është prishur vetëm në datën 07.06.2021.
Sa më sipër, sipas SPAK, ekzistojnë dyshime të arsyeshme të bazuara në prova se Julian Preni ka konsumuar elementë të veprës penale, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Julian Preni po gjykohet edhe në Sarandë
Ish-përgjegjësi i IKMT Sarandë, Julian Preni po gjykohet edhe për një tjetër vepër penale në Gjykatën e Sarandës.
Preni rezulton të jetë dërguar per gjykim nga Prokurori i Sarandës, Kledian Llaho për “shpërdorim detyre”.
Ai ka qenë fillimisht nën hetim nga Prokurorja e SPAK Doloreza Musabelli, por çështja i kaloi për moskopetencë Prokurorisë së Sarandës, e cila formësoi akuzën “shpërdorim detyre” lidhur me favorizimin e ndërtimeve pa leje në Ksamil gjatë kohës që Preni ishte me detyrë në Sarandë.