Ish-kreu i IKMT Sarandë nën hetim edhe për një vepër tjetër penale

Julian Preni, ish Përgjegjës i IKMT Sarandë, i arrestuar me urdhër të SPAK për “korrupsion pasiv” lidhur me një ndërtim në Ksamil, rezulton se po gjykohet për një tjetër vepër penale në Sarandë.

Preni rezulton të jetë dërguar për gjykim nga Prokurori i Sarandës, Kledian Llaho për “shpërdorim detyre”.

Ai ka qenë fillimisht nën hetim nga Prokurorja e SPAK Doloreza Musabelli, por çështja i kaloi për moskompetencë Prokurorisë së Sarandës, e cila formësoi akuzën “shpërdorim detyre” lidhur me favorizimin e ndërtimeve pa leje në Ksamil gjatë kohës që Preni ishte me detyrë në Sarandë dhe e dërgoi atë për gjykim në Gjykatën e këtij qyteti.