Gjykata Kushtetuese kalon për gjykim çështjen “Beleri”
Gjykata Kushtetuese, këtë të mërkurë, ka kaluar për gjykim çështjen e shitblerjes së votave për të cilën akuzohet kryetari i zgjedhur i Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri.
Gjykata do të shqyrtojë ankimimin e avokatëve mbrojtës të Belerit, i ngritur kundër vendimeve që e lanë atë në burg.
Beleri ndodhet pas hekurave që prej 12 majit. Ai u arrestua dy ditë para zhvillimit të zgjedhjeve lokale nga të cilat doli fitues me diferencë të vogël votash, në përballjen me socialistin Jorgo Goro.
Pavarësisht kësaj, Beleri, i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit, ende nuk ka mundur të betohet si kryebashkiak, pasi drejtësia në disa shkallë ka refuzuar kërkesën e tij për të dalë nga burgu.