Pjesë e një grupi kriminal që trafikonin drogë, arrestohet 36-vjeçari në Sarandë
Një 36-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar ka rënë në prangat e policisë së Sarandës.
Bëhet me dije se është arrestuar Aleks Likaj 36 vjeç. Në vitin 2019, Gjykata për Krimet e Rënda, Tiranë, i kishte caktuar 36-vjeçarit masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.
Likaj dhe shtetas të tjerë (të vënë në pranga gjatë megaoperacionit ndërkombëtar “Brezi i Gjelbër”), të organizuar si grup kriminal, trafikonin përmes kufirit të gjelbër me Greqinë, lëndë narkotike.
Njoftimi i policisë së Sarandës:
Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një 36-vjeçar i kërkuar në kuadër të megaoperacionit policor ndërkombëtar antidrogë të koduar “Brezi i Gjelbër”.
Megaoperacioni, i zhvilluar nga Policia e Shtetit dhe Policia e Greqisë, në vitin 2019, goditi një grup kriminal që trafikonte përmes kufirit të gjelbër me Greqinë, lëndë narkotike.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në vijim të punës gjurmuese dhe operacionale, për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, në kuadër të operacioneve policore të zhvilluara më parë, si dhe në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, kanë lokalizuar, kapur dhe ndaluar shtetasin e shpallur në kërkim kombëtar, A. L., 36 vjeç, banues në Sarandë.
Në vitin 2019, Gjykata për Krimet e Rënda, Tiranë, i kishte caktuar shtetasit A. L., masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. 36-vjeçari dhe shtetas të tjerë (të vënë në pranga gjatë megaoperacionit ndërkombëtar “Brezi i Gjelbër”), të organizuar si grup kriminal, trafikonin përmes kufirit të gjelbër me Greqinë, lëndë narkotike.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.