“Ndërhyrja e Greqisë është skandaloze, e pajustifikueshme”, Blendi Fevziu sulmon ashpër ndërhyrjen e Athinës për Belerin

Gazetari Blendi Fevziu u tregua i ashpër në reagimin e tij për ndërhyrjen e shtetit grek në mbrojtje të kryetarit të zgjedhur të bashkisë së himarës, Fredi Beleri. Fevziu u shpreh në emisionin “Të Paekspozuarit” se kjo ndërhyrje është skandaloze dhe e pajustifikueshme. Gazetari bëri edhe një paralelizëm me një rast që ndodhi në Greqi gjatë zgjedhjeve me një pjesëtar të minoritetit turk, ku vetë kryeministri grek dënoi takimin e kandidatit minoritar turk me një punonjës së konsullatës turke.

“Drejtësia shqiptare nuk mund të mbajë në burg çdo njeri, për çdo gjë. Pse duhet të rrijë Safet Gjici në burg? Ka bërë, ç’ka bërë, të gjykohet në gjykim të lirë, sepse Evropa përdor standard tjetër. Në këtë rast Beleri mund të ishte betuar.

Ndërhyrja e Greqisë është skandaloze, e pajustifikueshme dhe në shkelje të të gjitha normave. Çfarë do të ndodhte në greqi nëse Erdogani dhe ministrat e tij do të ankoheshin për ndonjë pjesëtar të minoritetit turk që ka patur probleme në zgjedhjet në Greqi? Në zgjedhjet greke, një kandidat në zonat turkofolëse në kufirin lindor të Greqisë ka takuar një përfaqësues të konsullatës turke dhe ka dalë kryeministri i Greqisë duke thënë: Si mundet që një kandidat për të zgjedhur lokal të takojë diplomat turk?!

Me çfarë të drejte Beleri bën fushatë elektorale me flamurin e Vorio-Epirit, një simbol i ndaluar në shtetin shqiptar, i përçarjes dhe urrejtjes mes vendeve. Nëqoftëse një shqiptar në Greqi do të bënte fushatë elektorale me flamurin Autoctonus të Ballist Morinës, ku Greqia përfshihet brenda trojeve të Shqipërisë së Madhe, çfarë do të ndodhte në Greqi?

Drejtësia mund të kishte përdorur një standard tjetër, por nga ana tjetër nuk mund t’i kërkosh në këtë lloj mënyre. Nëse Greqia flet për bllokim të rrugës evropiane, le ta bllokojë. Shqipëria nuk është ajo e kaluara. Shqipëria duhet të sqarojë përfundimisht pjesëmarrjen në masakrën e Peshkëpisë. Unë kam qenë na familjen e ushtarit të vrarë në vitin 1994. Ishte një familje të këputur.

Beleri le të betohet, por unë nuk kuptoj se si mund të ketë një bashki me 8 mijë banorë. Ndarja territoriale është padrejtë, se kanë 1/3 e vijës bregdetare dhe e mbajnë peng. Himara nuk është minoritet dhe as grekët nuk e kanë njohur si të tillë”- u shpreh Blendi Fevziu.