Ja pse rrinë çelur “Lulet e Verës” të Naimit
Nga Thoma Nika
Nuk është mjaftueshëm e njohur që Naim Frashëri ka shërbyer si doganier në Sarandë, në vitet 1874-1876. Besoj që ka nevojë të bien më shumë prozhektorë mbi këtë fakt historik, i cili ka shanse të ofrohet edhe si atraksion i ri turistik. Ka edhe dokumente arkivore të shtetit shqiptar, ku rrëfehet veprimtaria e Poetit Kombëtar në Sarandë. Vendimi shtetëror i Perandorisë për këtë emërim, motivohej me arësyen dhe nevojën e tij shëndetsore për t’u rikuperuar nga dëmtimi i mushkërive prej fillimit të një tuberkulozi.
Duke u ndjerë shëndetësisht nën terapinë e klimës së butë mesdhetare të Sarandës, Naimi i madh përjetoi ndërkohë realitetet e Sarandës dhe rritjen e ngadaltë të saj, si një qytet port në shkëmbime tregtare.
Puna dhe jeta në Sarandë i shërbeu Naimit për “jodizimin” e krijimtarisë së tij dhe ai u bë edhe më shumë lirik në këtë mjedis. Tregohet kjo me poezitë dhe lirikat, sado të pakta, por shumë të frymëzuara nga brigjet dhe nga dialogu me detin dhe me njerëzit e detit të këtij qyteti.
Në godinën historike dykatëshe, që ngrihet edhe sot te Limani i varkave të vogla të detarëve sarandiotë, Naimi hodhi firmën si doganier shërbimi, por firmosi edhe vjersha të frymëzuara, që janë pjesë e korpusit të veprës së tij letrare.
Në një kuptim, ai i “korri” këto vjersha prej frymëzimit që i dha Saranda.
Nderkohe, mbolli emrin e tij, duke sjellë nga Turqia e mbjellë 147 vite më parë dy pemët e rralla, të Piperit të Kuq, atje ku ka qenë Konsullata italiane në vitet ‘40 të shekullit të kaluar. Këto pemë Saranda i ruan si relike të shtrenjta të natyrës së bukur.
Në Sarandë ka shumë palma e deri dhe banane, por është një kuriozitet historik dhe atraksion turistik prania e pemëve të rralla të Piperit të Kuq. Ato njihen si Pema e Naimit.
Kryevepra e Naimit titullohet “Lulet e Verës”. Por me gjasë, frymëzimi për këtë titull është bërë vetë Saranda.
Sepse Naimi ynë shihte larg dhe siç parashihte lulëzimin e Luleve të tij të Veres, ishte besimplotë se do të shpërthente në lulëzim ballkoneve, verandave e pjergullatave të Sarandës së bukur, edhe bugonvilja e dashur, të cilën gjithashtu e solli nga Stambolli në disa lloje e ngjyra.
Saranda ka një resort që mban emrin “Bugonvilja”. Por nuk ka rrugë e rrallë gjen ndërtesë tradicionale, që të mos jetë dekoruar me variantet e bugonviles kacavjerrëse.
Prej dekadash kjo lule me bukuri të rrallë, haset kaq dendur në Sarandë, sa është kthyer në simbol të qytetit e njihet me sinonimin “Lule Saranda”.
Ka ardhur koha që përhapjes së saj t’i jepet hapësirë edhe më e gjerë, përmes projekteve e konkurseve për bugonvilen më të bukur mes shtëpive e lokaleve të Sarandës.
Sa për ndërtesën historike të Naimit doganier, ajo me siguri do të ishte rrafshuar apo tjetërsuar, nëse nuk do të kishte qenë një shenjë e fortë e kësaj historie.
Detyra e të sotmes është që ta kthejë atë në një Muze të dedikuar dhe të merituar për figurën e Poetit Kombëtar Naim Frashëri. Do të sillte vlerë të shtuar, po të kthehet në një atraksion më shumë për vizitorët e pushuesit, vendas e të huaj të Sarandës.
Ata sot hapin dhe shikimin mbi basorelievin e bukur, gdhendur me dashuri nga skulptori sarandiot Niko Godroli. Por në brendësi gjejnë që nga piktura e Eduard Lir, tek fotot bardh e zi të Sarandës dhe relike e antikuare gjithfarë llojesh. Por asnjë fjalë e gjurmë, pa bërë fjalë për dokumente arkivore që të tregojnë për vitet e Naimit në Sarandë. Ndërkohë, rikonceptimi i Muzeut aktual të Traditës do të duhet t’i japë fokus figurës së Poetit më të madh të Rilindjes Kombëtare Naim Frashëri.
Me objektiv ofrimin e një vendi pelegrinazhi për brezin e ri në tërësi e për shkollarët në veçanti, për t’u edukuar me ndjenjën e atdhedashurisë dhe me ndjenjën e të bukurës, njëherësh.
I tërë kati i parë i ndërtesës, ashtu si ballina e saj, do të duhej të ishte Takimi me Naimin. Meteriali etnografik do të mund të organizohej në tri sallat e katit të dytë, me hyrje më vete, nga dera që del në “Rrugën e Flamurit”.
Plotesojne një mungesë të ndjeshme në Sarandë, me Muzeun “Lulet e Verës”, të Naim Shqipërisë.