Tre vdekje në Sarandë, që se frenuan dot një çmenduri akustike

Tre vdekje tragjike me ikjen e tre të rinjve, brenda tre ditësh në Sarandë, nuk patën asnjë efekt në ndërgjegjen e atyre që darkave ngrejnë zërin e një kafshërie muzikore në kupë të qiellit, duke i shkaktuar qytetit, pjesës normale, një batërdi akustike që nuk besohet të ketë të dytë në qytetet bregdetare shqiptare. Nuk ka të dytë, pasi i njëjti ligj që vlen për të gjitha, ku thjesht vendoset një limit kohor, nuk merr parasysh specifikat e ndryshme të këtij apo atij qyteti. Saranda, si gji, rreh veten me ndotje akustike, pasi zhurmërrimi që prodhojnë DJ-të, kjo qenie që më pak se çdo gjë ka pikërisht kulturën apo sqimën muzikore, përplaset me murret urbane, aty ku ka fëmijë, pleq, njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me batërdinë në fjalë, familje me jetë normale, të cilave iu merret e drejta për të jetuar, qoftë dhe disa orë, si njerëz normalë.

Njerëzorja e donte që të paktën prej tre vdekjeve, fundjava në shëtitore të mos qe aq mizore, prej një biznesi që çmendi dynjanë duke rrahur me palo muzikën, shpirtëra të pafajshëm njerëzorë që donin të qetësi, shplodhje, komunikim normal brenda familjeve të tyre. Jo, aspak, çmendurisht e mizorisht madje aspak, pasi mjafton lloji i zhurmës që ofrojnë, si dhe volumi vrastar, për të kuptuar se shumë pak thagmë njerëzore ka mbetur në qenien e tyre. /tesheshi.com/