Tik Lapaj: Nëse ata më thyejnë mua, ju do u shtypin edhe më egër
Aktivisti nga Saranda Adriatik Lapaj së fundmi ka deklaruar se ka nisur një lëvizje politike.
Por ai thotë se po sulmohet për nismën e tij.
“Ua tregoj unë skemën. Pasi e morën peng vendin me ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dhe e kthyen përfundimisht shtetin në kompani private të klasës sunduese filluan e ndan konçesione pa doganë.
Konçesionet janë burimi parave të pushtetit të tyre, e që ne i paguajmë çdo ditë. Me paratë tona ata pasurohen në mënyrë “të ligjshme” e me këto para “të ligjshme” blejnë votën në zgjedhje, rrahin kur duan përmes bandave që mbajnë vërdallë, shajnë përmes lukunis së lehësve profesionist kur guxojmë të flasim të vërtetën.
Lëshohen e kërkojnë llogari te ata që guxojnë t’i refuzojnë, ndërkohë që heshtin e hollojnë zërin ndaj pengmarrësve të atdheut dhe të gjitha këto me paratë tona. Guxo po ta mbajti se të bëjnë të zi më shumë se e zeza. Të qepen e mallkojnë a thua se 32 vite i ke shtypur e vjedhur ti. Përse? Se ke thënë të vërtetën. Se po u thua njerëzve që gomari nuk fluturon.
Si zgjidhet? Me bashkim. Duke mos ruajtur cepin e sigurtë, por duke u rreshtuar me të drejtën. Nëse qenëria bashkohet atëhere dhe populli duhet të bashkohet e t’i dërgojë për skrap.
Pse duhet bashkuar? Se ndryshe do vazhdojmë të shtypemi edhe më shumë. Tani mbetet populli ta ndajë, a do manipulohet nga ata a do bashkohet të përballet me ata.
Unë mund të kisha zgjedhur rehatin. Ta mbaja mirë me ta. Të bëja sehir e të komentoja nga sallonet e Tiranës apo jahtet e bregdetit si snob e cinik si vuante e lëngonte një vend i tërë, por jo zgjodha përballjen.
Nuk dua merita, ama dijeni se nëse ata më thyejnë mua ju do u shtypin edhe më egër. Nuk po kërkoj post, po u kërkoj të bashkoheni e tu kërkoni demokratizimin e vendit përmes hapjes së garës, ligjit për referendumet, votës së emigrantëve dhe depolitizimit të administratës zgjedhore”, shkruan Lapaj.