Sarandë, në festë fantastike folklorike në shëtitore
Një festë e vërtetë e traditës ishte eventi i mbrëmjes të së shtunës në shëtitore, ku kënga e vallja e trevave të ndryshme të Jugut, me pikëtakim në Sarandë, shkaktoi një gazmend të paparë mes shumë pushuesve, përfshirë dhe turistë të huaj.
Për afro dy orë, dap-dupet e llapazhdrapat e ndryshme muzikore të Gjirit të Sarandës, më të shëmtuara të mundshme ardhur nga njësi shërbimi statike ose në lëvizje, ngjanë dhe më të shëmtuara përballë asaj që është kënga e vallja jonë: ajo sarandiote, delvinjote, çame, labe, minoritare, zagoriote, bregase, e cila u kënduar e u kërcye jo vetëm nga interpretues respektive të këtyre trevave, por dhe nga shumë ndjekës të eventit, vendas e të huaj.
Ishte ky një event i organizuar për herë të parë në Sarandë, me synimin për t’u shndërruar në traditë të përvitshme.
I mbështetur nga Ministria e Kulturës, erdhi si një ide origjinale dhe një organizim perfekt.
Eventi ishte në formën e një parade veshjesh të çdo krahine, ku për çdo sosh pati shpjegime të detajuara nga bartësit apo bartëset e tyre. Dhe çdo veshje e prezantuar përmbyllej me një këngë ose valle tradicionale e trevës nga ajo vinte.
Eventi u moderua nga një prej emrave të folkut sarandiot, Xhelo Beqiri, njohës mjaft i mirë i kulturës dhe traditës lokale, si edhe praktikant i muzikës tradicionale të zonës së Sarandës, me pjesëmarrje në aktivitet të shumta në nivel lokal dhe kombëtar.
Momentet më të bukura qenë vallet e kërcyera, të cilat joshën dhe ndjekës të aktivitetit, të cilët u shkrinë e u bënë njësh me artistët, kapur dorë për dore. Mes tyre madje edhe turistë të huaj, djem e vajza, të cilët panë e shijuan nga afër folkun e pasur të vendit ku kanë ardhur me pushime.
Ishte ndoshta prezantimi më i mirë i Sarandës që veç detit që është i Zotit, duhet t’u ofrojë pushuesve dhe produkte kualitative njerëzish, siç ky aktivitet artistik me art folklorik.