Rama: Shqipëria do të jetë kampione absolute në rajon për turizmin

Kryeministri Edi Rama deklaroi se “sot po shohim frytet e para domethënëse e kuptimplota në një rrugë që për ne është përcaktuar si rruga drejt Shqipërisë 20230, ku pa asnjë diskutim Shqipëria do të jetë kampione absolute në rajonin tonë për turizmin,kur them rajonin tonë kam parasysh Ballkanin Perëndimor”.

Në një konferencë për shtyp duke bërë një përmbledhje të përgjithshme të sezonit turistik në vend Rama theksoi se “ këtë vit Shqipëria po përjeton sezonin e një kthese historike që është rezultat i shumë përpjekjeve të bëra në vitet e mëparshme dhe kurorëzim i një faze të re transformimi për turizmin që ka nisur kohë më parë me programin kombëtar  të rilindjes urbane me përkushtimin e posaçëm të zonave turistike me përkushtimin e posaçëm të trashëgimisë kulturore, me rritjen e aktiviteteve kulturore dhe artistike në funksion të sezonit. Pa diskutim edhe me mbështetjen e vazhdueshme për shumë investime që sektori privat ka bërë në industrinë e turizmit”.

Rama tha se “shifrat flasin për një sukses të jashtëzakonshëm edhe në aspektin e afrimit thuajse të plotë me Greqinë apo të tjera vende që janë shumë përpara nesh kur vjen fjala tek numri i turistëve për frymë”.