Rama i akordon Nanos “Medaljen e Mirënjohjes Publike”: Meriton lutjet tona në këto orë të vështira të luftës për jetën

Kryeministri Edi Rama i ka akorduar Kordonin e Madh me Yll të Mirënjohjes Publike ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Rama u shpreh sot se po lutet për Fatos Nanon në këto orë të vështira të luftës për jetën të liderit historik të Partisë Socialiste.

Kryeministri thekson se Nano meriton mirënjohjen tonë për gjithçka të mirë mundi t‘i japë vendit dhe shoqërisë në rolet e rënda që pati gjatë karrierës së tij me të përpjeta e të tatëpjeta të mundimshme.

“Lutem për Fatos Nanon. Në këto orë të vështira të luftës për jetën, lideri historik i Partisë Socialiste dhe njeriu që vuajtjen e padrejtë të heqjes së lirisë e ktheu në burimin e një fryme liberale në udhëheqje, në një kohë kur Shqipëria përballej me shëmtinë e egër të një konflikti politik të nxitur nga shpirti i hakmarrjes, padijes, errësirës dhe me egërsinë e pakufishme të një kapërcimi të madh historik, nga izolimi i tejskajshëm komunist drejt demokracisë si sprovë e tejmundimshme, në një tokë të djegur prej zjarrit e hekurit të perandorive e regjimeve që pasuan njëri-tjetrin qysh prej pavarësimit të Shqipërisë, ku nuk u rrit dot kurrë shtati institucional i shtetit e ku liria e ardhur me furinë e zemëratës popullore solli bashkë me dritën e së ardhmes edhe plagët e tmerrshme të shkatërrimit të shumëçkaje në emër të luftës për demokraci, meriton sot lutjet tona dhe mirënjohjen tonë për gjithçka të mirë mundi t‘i japë vendit dhe shoqërisë në rolet e rënda që pati gjatë karrierës së tij me të përpjeta e të tatëpjeta të mundimshme”, shkruan Rama.

Kordoni i Madh me Yll i Mirënjohjes Publike iu akordua ish-kryeministrit Fatos Nano me motivacionin: “Për kontributin posaçërisht të shquar në ndërtimin e shtetit kushtetues e demokratik në Shqipëri, frymën liberale në udhëheqje dhe tolerancën shembullore në momente tejet të vështira të jetës politike kombëtare, po edhe personale, rolin vendimtar në përpjekjen shoqërore për të ardhmen e vendit”.