Protesta për Fredi Belerin, reagon Rama: Ku ndodh që krerët e bashkive të një vendi organizojnë protestë në një shtet tjetër?
Nga Edi Rama
Νόμῳ πείθου🇬🇷🤝🇦🇱Bindju ligjit*
U bënë disa muaj që politikanë dhe media të caktuara në Greqi, kërkojnë nga Shqipëria që të lirojë nga burgu kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës. Përpara pak javësh, Margaritis Schinas, zëvendës president i Komisionit Europian dhe mik i mirë i Shqipërisë, publikoi një letër drejtuar komisionerit Olivér Várhelyi. Me një ton diplomatikisht paralajmërues për pengimin e ecurisë së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, i kërkoi kolegut të tij të ndërhyjë pranë autoriteteve shqiptare, sepse përndryshe ai, pra zoti Schinas, sheh “një rrezik imediat që kjo çështje të ndikojë negativisht në raportin e progresit të 2023 për Shqipërinë dhe angazhimin e saj në promovimin e rendit ligjor”.
Në këto terma dhe me bindjen e njëjtë si në letrën e lartëpërmendur, edhe mbi “lidhjen e kësaj çështjeje me respektin e përgjithshëm për të drejtat themelore apo çështjen e mbetur pezull të pronave të minoritetit grek në zonën e bashkisë në fjalë, si edhe me akuzat për shkelje të kufijve të tyre nga ana e shtetit”, siç shkruhej në letrën e zotit Schinas, u zhvillua dje një protestë e organizuar nga politikanë grekë në qendër të Himarës!
(Ç’është e vërteta kjo bindje e miqve grekë nuk bazohet në as edhe një fakt konkret, që do të mund të provonte se në Shqipëri ka vërtetë një problem specifik të drejtash apo pronash për minoritetin grek, i cili ndryshon nga problemi tërësor i trashëguar i Shqipërisë me pronat e gjithë qytetarëve shqiptarë, çka edhe e kemi trajtuar e do ta trajtojmë vijimësisht me respekt, me durim dhe me gjuhën e fakteve me Athinën zyrtare).
Në memorien time nuk ka një rast tjetër, kur të zgjedhurit e një shteti demokratik organizojnë protestë në një shtet tjetër demokratik, kundër autoriteteve të këtij shteti. Jo vetëm kaq, po ku ata shfaqen si protestues kundër vendimeve të gjykatave përkatëse të shtetit në të cilin protestojnë, duke e absolutizuar përkatësinë etnike të subjektit të protestës mbi çdo normë juridike, standard ligjor e logjikë demokratike. Kjo është një nga ato situata tipike, kur shprehja “Jam pa fjalë!” është e para që të vjen në mend dhe do të doje të ndaleshe me aq. Por kjo është edhe një nga ato situata tipike, kur në Ballkan merr jetë ajo shprehja “Digjet jorgani për një plesht!” prandaj edhe duhet folur e bërë çmos, që ky të mos jetë kurrësesi rasti.
“Lironi Belerin dhe pikë!”.
Po kush dhe si mund ta lirojë sot nga burgu një qytetar shqiptar me kombësi greke, i cili si kandidat për kryetar bashkie, akuzohet nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit e Krimit të Organizuar, se ka kryer krimin e blerjes së votave – për të cilin Kodi Penal i Shqipërisë është i qartë dhe drastik – ndërsa sipas vendimit të pandryshuar në të treja shkallët e gjykimit, nuk mund ta lerë paraburgimin deri në fund të procesit gjyqësor ndaj tij?!
Vallë kombësia greke i jep qytetarit shqiptar të akuzuar nga SPAK-u dhe mbajtur në paraburgim nga gjykatat e vendit, një status të ndryshëm nga 48 qytetarë të tjerë shqiptarë me kombësi shqiptare, ndër të cilët edhe disa kryebashkiakë të partisë time, që sot janë të paraburgosur nën akuzat e të njëjtit organ, me vendime identike të të njëjtave gjykata?!
Unë nuk e kam fshehur mendimin tim shumë pozitiv, e as ndjenjat e mia shumë miqësore për kryeministrin Mitsotakis. Tek ai kam parë qysh në fillim një lider modern europian dhe kam gjetur në vazhdimësi një njeri të admirueshëm. Nuk kam ndërmend t’i fsheh mendimin e ndjenjat e mia as sot, kur kolegut të nderuar e mikut tim të dashur Kyriakos, do t’i duhet të lexojë opinionin tim të mirëformuar dhe të mirëinformuar, i cili nuk përkon gjëkundi me opinionin e miqve protestues.
Për mua, ky politizim i një çështjeje të drejtësisë shqiptare, deri në pikën që të organizohet një protestë këtu në Shqipëri nga autoritete të zgjedhura në Greqi, ndër të cilët as më shumë e as më pak, po edhe kryebashkiakët e dy qyteteve më të mëdha të Greqisë, mund t’i shkonte skenarit të një filmi sarkastik për marrëdhëniet ndërshtetërore në një Ballkan të denjë për stereotipin e vet të vjetër të përplasjeve “kush jam unë e kush je ti!”, po jo realitetit demokratik të fqinjësisë europiane, mes një vendi anëtar të BE-së dhe një vendi që aktualisht negocion anëtarësimin në BE.
Unë nuk kam ndërmend ta fsheh në këto radhë as kënaqësinë për progresin e jashtëzakonshëm, që së bashku me kryeministrin grek kemi bërë në vitet e fundit, për t’i shkrirë me frymë europiane akujt ballkanikë që ishin krijuar ndër vite në marrëdhëniet shqiptaro – greke, duke e parë njëri – tjetrin në sy dhe duke i adresuar me mendje të hapur e vullnet të mirë ngërçet e vjetra.
Por s’kam se si e fsheh edhe keqardhjen e madhe, përballë shfaqjes surreale të ndërhyrjes së palës greke në një çështje të drejtësisë shqiptare, deri në pikën që deklaratat nga Athina dhe përçapjet e miqve tanë grekë në Bruksel, për ta paraqitur këtë çështje të trajtuar gjermëtash nga drejtësia për akuzën e krimit elektoral, si një çështje të të drejtave të minoritetit grek, përshkallëzohen me një protestë të kësaj natyre, të pashoqe në historinë e Europës – të paktën në dijeninë time!
Jam jo vetëm shumë i keqardhur, por edhe seriozisht i shqetësuar. Sepse ky hap i hedhur si këmba e elefantit në një dyqan qelqurinash, mund të sjellë pasojën regresive të rindezjes së flamës së nacionalizmit, e të ndjenjave negative reciproke që ajo flamë lind në shtresa të keqinformuara e në grupe të caktuara ekstremistësh, të cilët i mezipresin këto raste me bidon benzine në dorë, gjë që as nuk e dyshoj një sekondë se jo vetëm unë dhe qeveria shqiptare, po as kryeministri dhe qeveria greke nuk e dëshirojnë hiç asfare.
Ngado që rrotullohem për t’u futur “në këpucët e tjetrit”, unë nuk e gjej dot një rrugë që më nxjerr në shtegun e justifikimit të kësaj qasjeje ndaj një çështjeje të drejtësisë dhe nuk e kuptoj dot, se si mund të zgjidhet ky hall “i çuditshëm” i fqinjëve dhe miqve tanë, përveçse duke e lënë drejtësinë të bëjë e patrazuar punën e saj!
Prandaj nuk e di se çfarë mund të them tjetër, sepse Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë; ndarja e qartë e pushteteve, e cila falë Reformës në Drejtësi (GREQIA NJËSOJ SI SHTETET E BASHKUARA DHE VENDET E TJERA TË BASHKIMIT EUROPIAN E KA MBËSHTETUR REFORMËN PA ASNJË REZERVË) dhe vullnetit të hekurt të shumicës sonë qeverisëse për ta zbatuar atë, pa bërë asnjëherë komente politike mbi vendimet e gjykatave, po i jep një përmasë të munguar në historinë e shtetit të saj, Shqipërisë demokratike në rrugën drejt Familjes së Bashkuar Europiane; vetë standardi i panegociueshëm i Bashkimit Europian, për të mos u përzier kurrësesi në punët e gjyqësorit për çfarëdo arsyeje politike; po edhe vizioni e vullneti im për të mos i kompromentuar kurrë marrëdhëniet e jashtme strategjike, me fryrjen e ndodhive episodike si kjo, ma bëjnë të pamundur të përsiatem më shumë mbi këtë episod sa banal, aq edhe të rrezikshëm brenda suazës së të menduarit ngushtësisht ballkanik.
Por miqve grekë, që erdhën në Himarë në mes të pushimeve dhe dhanë shfaqjen e tyre unikale edhe për turistët nga tërë Europa, që këtë vit kanë zbarkuar më të shumtë se kurdoherë në bregdetin shqiptar, u them se janë gjithnjë të mirëseardhur në Shqipëri.
Edhe për të protestuar po të duan!
Sepse Shqipëria e sotme është një vend europian, tolerant me çdo protestues bashkëkohor, po edhe historikisht mikpritës për çdo të huaj, pa dallim ngjyre, gjuhe e feje, e për këtë dëshmojnë plot momente të historisë sonë, kur shqiptarët u bënë ëngjëjt mbrojtës të të huajve në luftë për mbijetesë, që nga hebrejtë gjatë Luftës së Dytë e deri tek afganët në ditët tona – përfshirë edhe grekët e goditur nga varfëria ekstreme në veriun e vendit të tyre gjatë luftës së përgjakshme civile, të cilët trokitën të rraskapitur në dyert e familjeve shqiptare në juglindjen e vendit tonë.
Jo vetëm kaq, po Shqipëria e sotme është një vend europian me një legjislacion të ri shembullor për të gjitha minoritetet, ku minoriteti grek gëzon liri e të drejta të njëjta me bashkësinë shqiptare, ku qytetarët tanë me kombësi greke zgjedhin e zgjidhen lirisht, siç ndodhi edhe në zgjedhjet bashkiake të këtij viti në Dropull e në Finiq, pas një fushate elektorale me mesazhet e dhëna shqip e greqisht (edhe nga unë vetë madje, që fatkeqësisht nuk e flas gjuhën e mrekullueshme greke); ku flamuri grek u valëvit lirisht mes këngëve e valleve tradicionale dropullite dhe kandidatët e minoritetit grek morën mandatet për të vazhduar të qeverisin të patrazuar komunitetet e tyre; ku në periudhën e qeverisjes time, familjeve greke u janë legalizuar masivisht shtëpitë e ndërtuara pa leje në vitet e tranzicionit, e u janë dhënë me mijëra tituj pronësie të mohuar me dekada, ashtu sikundër u janë dhënë kishave, ku besimtarët ortodoksë kryejnë ritualet fetare, titujt e pronave të rrëmbyera nga regjimi komunist, të paregjistruara deri kur unë erdha në qeveri.
Mediave greke që merren me çështjen që u bë shkak për këta rreshta, u them se janë të mirëpritura ta dëgjojnë edhe këmbanën tjetër nëse dëshirojnë, kur të dëshirojnë, në Tiranë apo edhe në Himarë po të duan, ku i presim gjithnjë me kënaqësi me të vërtetat tona! Sepse Shqipëria sot, ka një qeveri që thotë atë që bën dhe bën atë që thotë, si për çdo gjë tjetër edhe për të drejtat e për pronat e anëtarëve të minoritetit grek. Të cilat, kurrë, në asnjë rast, nuk janë trajtuar nga autoritetet e sotme shqiptare ndryshe nga ato të të gjithë shqiptarëve.
Lëmshi i titujve të pronësisë në Shqipëri ka qenë një sëmundje e keqe e krijuar nga komunizmi dhe e përkeqësuar deri në agoni nga tranzicioni demokratik, gjatë të cilit pronat u bënë për vite të tëra objekt i një papërgjegjshmërie të neveritshme të legjislativit, ekzekutivit dhe gjyqësorit. Prandaj edhe ne kemi pasur një vëmendje të veçantë për të drejtën pronësore dhe procesi i vonuar me dekada i trajtimit të pronave në zona të caktuara, nga fushat e Malësisë së Madhe e malet e gështenjave në Tropojë, deri poshtë në kullotat e ullishtat e brigjeve të Jonit, është vënë në lëvizje me sens të lartë përgjegjësie nga ana e qeverisë sonë dhe rezultatet konkrete, të një pune aspak të lehtë që vazhdon, janë të padiskutueshme.
Ndërsa popullit grek i them, ejani në Shqipëri dhe do të ndjeheni si në shtëpinë tuaj, sepse pas një izolimi tragjik që na ndau për së gjalli për gjysëm shekulli dhe pas një tranzicioni dramatik me probleme të rënda e halle të mëdha, Shqipëria po bëhet çdo vit e më shumë një vend i mirë për të punuar, investuar, luajtur muzikë ose teatër, ekspozuar artin e kulturën tuaj të admirueshme apo edhe për të pushuar, në detet a në malet tona të magjishme. Po edhe sepse shqiptarët e grekët janë qysh në lindje të kohërave dy popuj miq, që gjeografia i ka bërë gjitonë dhe historia i ka bashkuar për punët e për hallet e përbashkëta, shumë më tepër se sa i kanë ndarë politikanët për epshet e tyre për pushtet e për dallditë e tyre nacionaliste përgjatë rrugës gjarpëruese të historisë, në këtë rajon ku është prodhuar gjithnjë më shumë histori sesa kapacitete për t’i tretur prodhimet e historisë.
Ndërsa e sotmja na ka riafruar përgjithmonë, qoftë falë qindra mijëra shqiptarëve të dalë kockë e lëkurë nga bunkeri i varfërisë komuniste, që erdhën drejt jush në vitet e mundimshme ‘90 dhe tanimë janë bërë pjesë e jetës suaj në Greqi, qoftë falë gatishmërisë sonë për ta pasur gjithnjë të hapur derën për ju. Sepse ju jeni vëllezërit e motrat tona, me të cilët e ardhmja na bashkon pazgjidhshmërisht, si dy popuj europianë që dallojmë nga gjuha, por që duam s’duam, jemi siç thuhet në atë filmin e famshëm italian të Giuseppe Tornatores, “mia fatsa, mia razza”.
*Thënie që i atribuohet Shtatë të Urtëve të Greqisë