Ku çedojnë kritikat e Auron Tares mbi turizmin në Shqipëri

Auron Tare, ish-drejtor i Butrintit, ish-drejtor i Agjencisë së Bregdetit, njëherësh i apasionuar dhe njohës goxha imponues i trashëgimisë dhe turizmit, shumë herët në pikëtakim e njohje me këtë të fundit, një fushë e re për shqiptarët, po shfaqet kritik këto kohë, me “kohën e artë” të turizmit në Shqipëri, duke mos qenë hiç dakort me prurjet masive turistike, gati të paimagjinueshme deri dje, më saktë deri para 15 viteve, si dhe me propagandën qeveritare.

Duhet thënë se Tare duhet dëgjuar vërtet, si meritor konkret në vite, ku më e fundit prej mendjes së tij është projekti i “100 fshatrave”, startuar me Nivicën, fshatin e njohur kurvelashas që shërbeu si model i një epoke të re të turizmit rural në Shqipëri. Butrinti, ndër të rrallat krenari shqiptare të mirëmenaxhimit trashëgimor, derisa pa pikë arsyeje po u kalohet amerikanëve, është po ashtu meritë e tij, duke e bërë atë të famshëm në interesin turistik botëror ahere kur askush s’ja hidhte sytë Shqipërisë për turizëm.

Rruga me kuaj e Lord Bajronit është po ashtu prej tij, si dhe ardhja në bregdetin shqiptar, posaçërisht atë të jugut e sa e sa figurave VIP nga bota, dje dhe sot, është për aftësinë e tij. Së fundi, dy vjet më parë, ai do bënte i vetëm dhe atë që nuk ka mundur ta bëjë deri më sot asnjë institucion akademik shqiptar: nxjerrjen të pafajshme të Shqipërisë për incidentin e Korfuzit, provuar para një auditori në Harvard, për të cilin Shqipëria është dënuar në Hagë.

Me gjysmën e jetës në Sarandë që në fillimvitet ‘90-të, ai ka parë nga afër paradoksin zhvillimor të këtij qyteti simbol, që tani e sheh të pushtohet nga ai lloj turisti të cilin ai nuk e do, nuk e preferon, pasi më shumë se i lë gjë Shqipërisë, i merr asaj, e dëmton në perspektivë.

Por ajo që çalon në kritikën e Tares, si në shumicën e kritikëve në Shqipëri mbi Shqipërinë, janë referencat.

Tare nuk ka referenca në kritikat e tij. Më saktë nuk sjell modele krahasimore e për rrjedhojë nuk jep as propozime.

Nga Tare duhej të mësonim se cilat janë ato vende që e kanë pësuar nga një turizëm i ngjashëm me këtë në Shqipëri, si e kanë pësuar dhe ku gjenden. Duhej të mësonim precedentë nga bota e turizmit të sukseseve afatshkurtëra e dështimeve afagjata, të cilave ai u trembet në rastin e Shqipërisë, ose e kundërta.

Duhej të mësonim mbi strategjitë e atyre vendeve të cilat sot shkëlqejnë në tregun global të turizmit, pra se si arritën deri aty. Dhe në finale, pas kritikave duhej të ofronte ide e propozime se ç’modele duhej të ndjekë Shqipëria në këtë stad që është. Fjala vjen, a ka ç’të mësojë nga Greqia fqinje? Po, duhet pranuar: Greqia është një traditë e gjatë turizmi prej së cilës ke ç’mësosh dhe Tare e ka potencialin njohës që t’ja hapë sytë gjindjes, tregut turistik dhe vendimmarrjes shtetërore duke u ofruar modele zhvillimi të mençura.

Ai po ashtu mund t’i tregojë opinionit, por dhe vendimmarrjes qeveritare pjesë e së cilës ishte në katër vjet, se si duhet menaxhuar vija bregdetare sipas x model nga x vend, në ngjashmëri me Shqipërinë. Sikur kritikat e tij të shoqëroheshin dhe me këtë lëndë ndihmëtare për njohje më të thellë të realiteteve të turizmit, kjo lloj metodike do e shfaqte dhe më bindës, ç’është më e rëndësishmja edhe më atdhetar, një lloj atdhetarie që i mungon dhe shqiptarit më atdhetar në këtë vend, i cili nw vend të ideve zgjedh të bëjë kritikun, pa i kombinuar të dyja.

Auron, trego se ç’duhet bërë, me një turizëm  ku tregun e diktojnë dhe rrjetet sociale, të panjohura deri dje, të cilat sjellin realitete krejt të reja. Trego duke sjell referenca nga bota…(Tesheshi.com)