120 urgjenca në ditë në Spitalin e Sarandës
Qyteti Sarandës ka pasur këtë sezon një numër rekord pushuesish e turistësh nga e gjithë bota.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ndau sot në rrjetet sociale një video, ku Dr. Spiro Talo, shef i Shërbimit të Urgjencës së spitalit të Sarandës, tregon për punën e ekipit mjekësor e infermieror gjatë sezonit turistik.
“Ekipet mjekësore kanë bërë një punë të shkëlqyer për të përballuar këtë fluks të jashtëzakonshëm. Urgjenca e Sarandës ka pritur deri në 120 urgjenca në ditë, duke u shërbyer në kohë e me cilësi pushuesve vendas dhe turistëve të huaj, falë edhe koordinimit të mirë ndërmjet strukturave shëndetësore, për rastet që kërkojnë trajtim të specializuar”, theksoi Manastriliu.
Shefi i Shërbimit të Urgjencës së spitalit të Sarandës, Dr. Spiro Talo tha se “fluksi në Urgjencën e Sarandës është dy-trefishuar. Në këtë periudhë janë 100-120 vizita në 24 orë, kemi pacientë nga shumë shtete dhe rastet janë më të ndryshmet”.
“Shërbimi i Urgjencës është organizuar në disa pika, si pika verore e Ksamilit dhe Borshit ku qëndron bashkë me personelin edhe ambulanca 24 orëshe. Pacientët marrin shërbimet e duhura që nga ekzaminimet laboratorike, imazherike dhe konsultat nga mjekët specialistë në bazë të problemeve”, tha Talo.
Spitali i Sarandës me sallat supermoderne për ndërhyrjet kirurgjikale dhe fuqizimin e stafit të specializuar, ka plotësuar nevojat e banorëve të skajit jugor, duke iu përgjigjur edhe emergjencave shëndetësore gjatë sezonit veror.