Këngë dhe histori nga grupi polifonik “Djemtë e Delvinës”

Duke shfletuar arkivin për grupin polifonik “Djemtë e Delvinës”, gjejme dy nga këngët perla të tij, që patën një jehonë të madhe të kënduar nga Bujar Tabulla dhe grupi në vitin 1983, “Nënë penxhere të shkova” dhe “ E vogël dhe shumë e bukur”.

Pak histori.

Grupi polifonik i njohur me emrin shumë domethënës “Djemtë e Delvinës”, u krijua në vitin 1979 në Pallatin e Kulturës, Delvinë. Pjestarë themelues të këtij grupi ishin: Bujar Tabulla, Avni Huda, Idajet Duka, Bejko Draci, Ylli Xhebro,Elmaz Pashako. Në vitin 1982 grupi realizoi inçizimet e para të disa këngëve në studion e Radio Gjirokastrës, si, “E vogël dhe shumë e bukur”, “Nën penxhere të shkova”, “Sy zeza hedhur mbi supe dy gërsheta”, “Te baçea, nën krua,ulu sorkadhe me mua”.

Në vitin 1986 grupi mori pjesë në Fesivalin Kombëtar Folklorik të Gjirokastrës me këngën për Enver Hoxhen ” Sot që mbushe 80,ke ardhur sic thoshje vet,në vëndlindje sa herë vi, 20 vjec bëhem i ri, katër fjalë me dritë ylberi,rron populli rron Enveri ” fituese kjo e vendit të dytë. Në vitin 1990 grupi polifonik “ Djemtë e Delvinës” merr pjesë në takimin Kombëtar të grupeve artistike, në kalanë e Beratit me këngën “Doli,more shokē doli, monella e lirë e Stambollit ” ku juria e asokohe e vlerësoi si një nga grupet më të mira.

Në vitin 1994 grupi mori pjesë në Festivalin Kombëtar Folklorik të Gjirokastrës me këngën “Emnie ” ku zuri vendin e tretë. Në vitin 1998 ka konkuruar në Vlorë në takimin e grupeve polifonike labe me këngën “Për tya bëra kurbet,moj e vogël – ooo ” . Në repertorin e tij grupi kishte këngë lirike, heroike, epike, balada, në shumicën e rasteve tekste të Myrteza Lekës. Gjatë viteve të trazicionit grupi shpërbëhet. Disa pjestarë të grupit emigruan në vëndet fqinje dhe disa të tjerë krijuan një grup të ri, “Kaonët”. Për një periudhe kohe 4-5 vjeçare grupi nuk ekzistoi. Më pas me ndihmën e ish – kryetarit të Bashkisë së Delvinës, Islam Jupi, rikrijohet grupi polifonik “Djemtë e Delvinës” me në krye Bujar Tabulla dhe duke u ndjekur nga, Arben Veliu , Avni Huda , Zarik Bajo , Elton Zholi ,Miri Roboci , Hetor Muzhai,Genci Tozo.

Sot grupi polifonik “Djemtë e Delvinës” vazhdon të prezantohet si një grup mjaft i konsoliduar, me një performancë të admirueshme, që merr gjithmonë nga publiku duartrokitje, përgëzime dhe urime. sarandalife.al në këtë fund vit i uron grupit polifonik “Djemtë e Delvinës”të kenë shëndet në familjet e tyre dhe të shkëlqejnë nëpër skenat lokale dhe kombëtare.

Autoret e shkrimit Bujar Tabulla dhe Vladimir Kodheli.