“Korrupsion aktiv në zgjedhje”, apeli i GJKKO lë në burg Fredi Belerin

Gjykata e Apelit Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka lënë në fuqi masën e sigurisë “Arrest me Burg” për Fredi Belerin, Kryetar të Bashkisë së Himarës.

Beleri akuzohet nga SPAK për “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, kryer në bashkëpunim. Arrestimi i tij u realizua pak ditë para zgjedhjeve të 14 majit, ku ishte kandidatë për kryetarë të Bashkisë së Himarës i koalicionit “Bashkë Fitojmë”.

Mëngjesin e të premtes, Apeli i GJKKO u mblodh për të vlerësuar kërkesën e Belerit, për ndryshimin  e masës së sigurisë. Pasi dëgjoi parashtrimet e palëve, Apeli i GJKKO ka vendosur të lërë në burg kryetarin e bashkisë së Himarës, Fredi Beleri. Trupi gjykues, i kryesuar nga Florjan Kalaja vendosi lënien në fuqi të vendimit të GJKKO-së, që ka dhënë masën “arrest me burg”.

Në njoftimin e GJKKO, bëhet me dije se “Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Florjan Kalaja, sot më 14.07.2023, zhvilloi seancë gjyqësore për çështjen penale nr. 114 akti, datë 05.07.2023 regjistrimi, me objekt “Zëvendësimin e masës së sigurimit personal”, regjistruar mbi ankimin e personit nën hetim Dh.A.B., ndaj vendimit nr. 259, datë 20.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, dhe vendosi: Miratimin e vendimit nr. 259, datë 20.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.”- thuhet në komunikatën e GJKKO.