Këngët e vallet popullore greke mbledhin turistë e pushues në Livadhaja të Finiqit, performojnë 800 këngëtarë e valltarë

Këngët dhe vallet popullore greke sollën atmosferë në Livadhja të Bashkisë Finiq. Qytetarët vendas, por edhe turistë u mblodhën mbrëmjen e kaluar për të shijuar traditën greke.

Në këtë event të organizuar nga Shoqata Kulturore” Agios Kosmas” Livadhja, kanë marrë pjesë 28 grupe artistike dhe 800 këngëtarë dhe valltarë nga zona e minoritetit grek në Shqipëri dhe nga Greqia.

Pjesë e mbrëmjes, u bë edhe ambasadorja greke në Tiranë Konstantina Kamitsi, që pati edhe fjalën e saj përshëndetëse.

“Gëzohem shumë që jam mes jush sot, është një event madhështor, takimi më madhështor që kam parë këtu në Shqipëri. Falënderoj shumë organizatorët e këtij takimi”, tha ajo.

Qëllimi i këtij festivali që synohet të kthehet në traditë, sipas organizatorëve është mbajtja gjallë e traditave kulturore të zonës së minoritetit dhe promovimit turistik dhe kulturor të zonës. Grupet artistike në këtë festival, ndryshe nga çfarë ndodh zakonisht, kanë ardhur me shpenzimet e tyre.