Një e pathënë se nga ku duhet të nisë “revolucioni urban” i Sarandës
Në çdo diskutim për Sarandën, kur vjen fjala për të adresuar atë që është bërë keq, fët e fët kjo i adresohet politikës, kastës që ka qeverisur, duke e trajtuar si një djall meteorik që një ditë u ul mes nesh, u vendos mbi ne dhe na bëri lëmsh gjithçka. Por sociologjikish nuk është kështu. Ne të gjithë jemi autorë të një lloj katrahure që vuajmë sot, nëse i qasemi sidomos aspekteve urbane, prej ndërtimeve sa kuturu e sa të shëmtuara, por jo vetëm kaq. Diç kemi ndërtuar dhe ne, sado pak, qoftë dhe një avlli e një shtesë kati dhe e kemi bërë si s’ka më keq, edhe duke shkelur ligjin madje. Ekziston pra një ndërgjegje e prishur kolektive pa ka ndodhur kjo, të cilën ne e quajmë “shkatërrim të Sarandës”.
Olti Çaçi që ka marrë përsipër të ndreqë diçka nga ajo që është prishur me rregullsi mizore, nuk mund ta bëjë këtë me shkop magjik. Atij i takon të jetë kryesqimtari i qytetit, për çdo detaj, te jetë mostoleruesi i asnjë shkeljeje, asnjë paligjshmërie, edhe në skutat e periferive, por nëse nuk gjen një ndërgjegje shoqërore gjithashtu të ndryshuar, do jetë krejt i vetmuar në këtë lloj revolucioni që synon të bëjë për ta bërë Sarandën një megaresort tërheqës në çdo kohë. Ndaj, çdo sarandiot duhet ta ndjejë veten aksioner dhe me rol në këtë megaresort ku varet fati ekonomik i tij, pra i gjithësecilit që jetojmë në këtë qytet. Kjo, duke e kuptuar dhe pranuar më së pari që të gjithë ne kemi luajtur rolin e keq të deritashëm në këtë hatashmëri urbane.
Le të marrim një shembull: pallatet e zgjyrta. Jo me patjetër banorët e tyre duhet të presin të vijë dikush nga pushteti për t’jua lyer, kuruar estetikisht.
Me një llogari të thjeshtë: nuk bën më shumë se 200 mijë lekë lyerja e fasadës së çdo banese, e cila e rrit më pas 10 fish vlerën e saj. Pra fiton e nuk humbet: fiton në vlerën e pronës, por dhe ne cilësinë e jetës. Fiton ti, fiton dhe qyteti. Kjo dhe sa i përket gjelbërimit, sikur dhe një pëllëmbë territor të mbetur ta lulëzosh me një lulë e pemë. Dhe të tilla punë, me të tilla forma, do zgjonin një ndërgjegje të fjetur qytetare, të cilën ky qytet e ka të domosdoshmëm për t’u zhvilluar më tej dhe për t’i rezistuar konkurrencës turistike.
Sepse ky trend turistik i viteve të fundit, i cili na ka bërë të shohim si dhoma të mundshme hoteli dhe dhomat tona të gjumit, është kontekst zhvillimesh globale më shumë se sa meritë e jona, shkruan sarandacity.
Meritë e jona do jetë shfrytëzimi i këtij “fati”, ku ai turisti që ka ardhur fillimisht për kuriozitet, të dashurohet marrëzisht me këtë vend; që nesër pra të vijë në Sarandë jo vetëm për detin, por dhe për atë çfarë përfaqëson në brendinë e tij ky qytet me det. Dhe ajo nis që nga njeriu që jeton në të. Por dhembshurisht, ky njeri është i tillë që nuk i shkëlqen asgjë të prona e vet, te e jashtmja e saj, te ajo me impakt në ambientin publik, ku më e pakta, aty ku ka ndërtuar, qoftë dhe një shtesë, ka lënë ca fitila të tmerrshëm jashtë, ama s’pushon duke sharë pushtetin që e paskërka prishur Sarandën. Ky është më i prishuri!
Ndaj ekziston një ligjësi social-shoqërore si kumt hyjnor, ku Zoti thotë se nuk do e ndryshojë gjendjen e një populli nëse ata s’ndryshojnë veten.