Himarë, shiste doza të lëndës narkotike kokainë, në lokale në plazh, vihet në pranga 27-vjeçari
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Himarë, në bashkëpunim me ato të Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Vlorë, si rezultat i kontrolleve të intensifikuara në të gjitha plazhet e qarkut, me qëllim parandalimin e paligjshmërive, si dhe për garantimin e një sezoni turistik të sigurtë, kanë konstatuar dhe goditur një tjetër rast të shpërndarjes së lëndës narkotike kokainë, në doza, në lokale në bregdetin e Himarës. Si autor i dyshuar i këtij rasti u kap në flagrancë, në vendin e quajtur “Potam 2”, si dhe u arrestua shtetasi:
-P. D., 27 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë kontrolleve ndaj 27-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, në rreth 50 doza, një pjesë e të cilës e gatshme për shitje, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me një peshore elektronike, një shumë parash në euro dhe në lekë, e dyshuar e përfituar nga shitja e dozave, si dhe dy celular.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.