Genti Gazheli takim me punonjësit e doganës në Qafë Botë: Mikpritje dhe angazhim të shtuar në shërbim të çdo turisti
Të gjithë turistët që do të hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë nga pika e kalimit kufitar të Qafë Botës, do të kenë një shërbim të kulturuar, korrekt dhe me profesionalizëm nga punonjësit e kësaj Dege Doganore.
Kjo ishte ajo çfarë kërkoi Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, gjatë një vizite pune në këtë Degë Doganore.
“Mikpritje dhe angazhim të shtuar në shërbim të çdo turisti, pasi ky sezon veror pritet te ketë një fluks në rritje të hyrjeve në vendin tonë”, u shpreh Gazheli.
Prej ditësh kreu i Doganave, Gazheli, në kuadër të hapjes së sezonit veror, po zhvillon vizita pune në të gjitha Degët Doganore, sidomos ato kufitare, të cilat janë dhe “përballja e parë” e çdo turisti të huaj me vendin tonë.