Drejtimi i ri i qytetit: Për ç’është i dënuar Oltion Çaçi

Të premten, Bashkia Saranda ndryshoi kokë drejtuese: doktor Adrian Gurma, me vetëm një mandat në detyrë, ia la vendin të parit biznesmen të mirëfilltë në krye të qytetit turistik, Oltion Çaçit, njëherësh dhe për herë të parë një sarandioti jo klasik.

Dhe tashmë është mirë të thuhet se nisi një epokë e re, ajo e Çaçit, pasi dhe vota për të e tillë duhet lexuar: jo thjesht si një emër i ri, por si një epokë e re. Kjo, krahasimisht me dy mandate të fundit para tij, nën qeverisjen e Rilindjes, të cilat në perceptimin publik, atë qytetar të Sarandës, më e pakta nuk kanë qenë dhe aq gjurmëlënëse, më e shumta nuk kanë qenë epokale.

Nocioni “epokë” në këtë rast përcjell përceptimin publik për gjëra të pazakonta të ndodhura me aksh emër në krye të Bashkisë, përkthyer si standarte të themeluara prej tyre, të cilat nguliten në memorien kolektive, hem si aftësi apo si risi menaxheriale e hem si moral. Por është shumë e diskutueshme nëse këto kanë ndodhur vërtet me paraardhësit e Çaçit. Ndaj ky i fundit është “i dënuar” të sjellë standarte, të bëjë epokë, hem në menaxhim e hem në moral.

Dy kolonat e suksesit   

Nuk është patetike të thuhet se dy kolonat e suksesit, ato që garantojnë një erë të re, një epokë, janë aftësia e morali. Njëra pa tjetrën janë të destinuara të mos sjellin asgjë, të jenë të dëmshme madje. Oltion Çaçi është “i dënuar” t’i ngërthejë të dyja.

Aftësinë, edhe në mos e pastë absolute, se nuk ka si ta ketë, por patjetër që e ka në një masë të pranueshme, gjersa ka prekur suksesin në menaxhim, do e plotësojë nëse rreth vetes do zgjedhë pikërisht të aftë, prej të cilëve merr e përfiton. Moralin, patjetër duhet ta ketë natyrë karakteriale, të imunizuar nga çdo sulm pushteti, që gjithashtu duhet ta ruajë me njerëz të moralshëm rreth vetes.

Bashkëpunëtorët   

Duke vijuar për sa më sipër, një përqindje e madhe e suksesit varet pikërisht nga ata, njerëzit rreth vetes, bashkëpunëtorët. Në këtë pikë, sinjalin e parë që Olti Çaçi duhet të përcjellë në publik, si emër i një epoke të re në Bashki, duhet të jetë vullneti dhe inisiativa jo pa kosto për krasitje të forta njerëzore në administratën e Bashkisë. Duke iu referuar perceptimin publik, por dhe opinioneve të brendshme të atyshme, fjala është për një nga administrat më të dobëta në menaxhimin e qytetit, por sigurisht me përjashtime emrash të përvetçëm në disa sektorë, të aftë e për më tepër të papërlyer moralisht. Lehtësi është se janë lehtë të identifikueshëm, si në drejtim të të qënit meritor për të vijuar punën aty e si në të kundërtën. Pra thjesht është çështje vullneti, me qëllimin final të suksesit, një epoke të re.

Qyteti duhet ta ndjejë në ajër që dikush tjetër po e drejton dhe Oltion Çaçi është “i dënuar” ta mundësojë këtë, aq më tepër që kjo nuk kërkon fonde.

Fondet

Bindja se suksesi varet nga paraja që do hedhë qeveria për Sarandën është tërësisht e gabuar. Ato kanë rol, por jo aq përcaktues. Disa aspekte qeverisjeje, që për më tepër janë thelbësore, nuk janë të varura te paraja. Fjala vjen, për të reformuar burimet njerëzore, siç u cek më sipër, nuk duhen para, duhet thjesht vullnet.

Duhen patjetër fonde për një rikonstruksion të thellë të godinës së Bashkisë, me pLlaka, dyer, tavolina e karrige të kohës së qepës. Edhe kjo madje është emergjeNte në përcjelljen e mesazhit në publik se një epokë e re po troket për Sarandën, me një institucion dinjitoz e jo që të tillë të kujton ndërmarrjet e dikurshme komunale, por që gjithsesi duhen fonde për këtë. Ndërsa për njeriun brenda, realisht “kapitalin më të çmuar”, është krejt tjetër gjë: zgjedhja e të duhurve, pra rikonstruksioni njerëzor, bëhet dhe pa fonde. Nëse ndodh siç duhet madje, prej tij rrjedhin fonde.

Që këtu duhet ta nisë Oltion Çaçi, për t’i dhuruar vetes një krenari në të bërit epokë, të bërit histori!