Vepra e Bregut që Belerizmi nuk do e donte kurrë

Kryeministri Rama ka servirur pamje nga ecuria e Tunelit të Llogarasë, investimi më i madh në Rivierën shqiptare – nga Llogaraja në Shën Vasil – duke shkruar: “…Dhe me kantierin e Tunelit të Llogarasë, ku pas hapjes plotësisht në 6 kilometrat e tij, punohet me ritëm të lartë për armatimin e plotë deri në përfundimin e kësaj vepre strategjike, ju uroj një ditë të mbarë”.

Tuneli i Llogarasë pritet t’i japë një tjetër dimension turizmit në Breg si dhe gjithë zhvillimit të asaj pjese ndër më të bukurat, ose pa dyshim më e bukura e vijës bregdetare shqiptare, me fshatra piktoreskë por dhe me probleme nacionale, siç në njërin prej tyre – Himarë. Aty, ku Greqia synon ta trajtojë si zonë minoriteti, janë rikthyer sërish fërkimet mes Tiranës dhe Athinës pas rastit “Beleri”.

Kandidimi aty i një filogreku me qëllime të pastra, njëherësh të mbrapshta për helenizimin e krahinës, siç vetë ka deklaruar sjell në kujtesë faktin se dhe rruga e Bregut që është sot, rikonstruktuar në qeverisjen Berisha, është parë vëngër nga elementi filogrek në Himarë. Kjo, pasi të zhvillimi i zonës është parë dhe një cenim i konservimit të një lloj greqizimi social të atyshëm. Zhvillimi, prurjet e shumta njerëzore, e zhbëjnë atë.

Për Belerizmin, mirë do qe që Himara të mbetej një fshat i rëndomtë nga pikëpamja sociale, pasi fare mirë në të tilla rrethana do ruhej enklavizimi i saj helenistik. Si rruga dje ashtu dhe tuneli nesër, përfshirë modernizimin urban të bregdetit, nuk shkojnë në këtë linjë.

Zhvillim do të thotë dhe shndërrime të mëdha demografike, atë që Belerizmi kurrë nuk do e donte në Himarë, aq më shumë nëse aty do kishte dyndje labe.