U arrestua për blerje votash në Himarë, lihet në burg Fredi Beleri! Dosja kalon në SPAK

Gjykata e Vlorës ka lënë në burg Fredi Belerin, kandidatin e koalicionit Berisha- Meta për bashkinë e Himarës, i cili u arrestua një ditë më parë për blerje votash.

Ndërkohë, Gjykata e Vlorës ka vendosur që për hetime të mëtejshme dosja t’i kalojë Prokurorisë së Posaçme.

Seancën e sotme në gjykatën e Vlorës, ishte e pranishme edhe ambasadorja greke e akredituar në vendin tonë.

Arrestimi i Belerit u bë me urdhër të Prokurorisë së Vlorës pas një procedimi të nisur për veprën korrupsion aktiv në zgjedhje në bashkëpunim.

Beleri u ndalua në lokalin e tij në shëtitoren e Himarës. Ai ndodhej bashkë me tre persona të tjerë, mes të cilëve edhe avokati i tij. Bashkë me Belerin u vu në pranga edhe Pano Kokoveshi, njëri prej shoqëruesve të kandidatit për kryetar bashkie në Himarë.

Sipas organit të akuzës, në bashkëpunim me persona të tjerë, Beleri u ka premtuar dhe dhënë shuma monetare personave të ndryshëm me qëllim blerjen e votës.

Mësohet se në një nga rastet bëhet fjalë për dhënien e një shume prej 40 mijë lekësh për sigurimin e 8 votave. Por avokati i kandidatit të opozitës për Himarën Fredi Belerit tha se paratë e sekuestruara nuk kanë lidhje me kandidatin për kryetar bashkie për Himarën. Ai ka thënë se ato janë të një personi tjetër.

Pak ditë më parë, një tjetër person ka denoncuar në SPAK se kishte komunikuar me Belerin, i cili i kishte premtuar që nëpërmjet parave t’i siguronte vota në favor të tij. Pas këtij denoncimi, agjentë të Prokurorisë së Posaçme e kanë mbajtur Belerin nën përgjim.