Takimi në Sarandë, Rama vlerësoi Adrian Gurmën dhe Stefan Çipën
Kryeministri Edi Rama nga Saranda ka vlerësuar ish-kryebashkian e këtij qyteti, Stefan Çipa. Gjatë takimit elektoral, ku prezantoi kandidatin Oltion Çaçi, Rama ftoi para qytetarëve Çipën, por nuk i dha atij fjalën, duke i thënë se “e di që nuk je përgatitur për të folur”.
Për Stefan Çipën Rama u shpreh se “më ka dhënë mundësi të provojë fortësinë e kokës duke e përplasur me kokën e tij që është shumë e fortë”.
“Dua të përshëndes në mënyrë të vecantë një sarandjot që është një socialist 24 karat, i provuar në të gjitha llojet e lëvizjes së dyshemese. Shpesh i vlerësuar, ndonjëherë jo i vlerësuar sa duhet, herë në ballë dhe herë në fund të rreshtit, por gjithmonë në gatishmëri të partisë.
Stefan hajde pak këtu. Stefani më ka dhënë mundësi të provojë fortësinë e kokës duke e përplasur me kokën e tij që është shumë e fortë. Ka qenë i rëndësishëm në këtë proces ndryshimesh herë të vështira dhe herë të lehta.
Stefani është në këmbë, ditën natën, kudo ku ka nevojë për një njeri më shumë dhe kurrë nuk e kam parë që të ulet dhe të thotë u lodha dhe të ktheje kokën matanë i hatërmbetur, lerë më të të lerë shpinë dhe të të dalë në rrugë.
Por gjithmonë ka pasur periudha kur ka qenë i vlerësuar, ka pasur periudha që nuk e ka marrë vlerësimin ashtu sic duhet. Ky është modeli i anëtarit perfekt të familjes politike. Stefan nuk po të kërkoj të flasësh se e di që nuk je përgatitur”, tha Rama.
Ndërsa për Adrian Gurmën Rama tha:
“Doktori është një djalë shumë i mirë, punëtorë, dhe ka bërë mësë miri detyrën e tij.
E kam falenderuar, por arsyeja pse do të ndërrojmë stafetën është sepse do të duhet të bëjmë ende më shumë.
Tani me katër vjet shkollë që ka bërë në menaxhimin e Sarandës do të na duhet sërish për punë të tjera shumë të rëndësishme”, ishin fjalët e Ramës për Adrian Gurmën.