Rama me këshilltarët socialistë në Sarandë: Sfidë, zgjatja e sezonit turistik
Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama zhvilloi sot një takim me grupin e këshilltarëve socialistë të zgjedhur më 14 maj, në bashkinë e Sarandës,
Kryeministri vlerësoi se rezultati ishte domethënës dhe pritshmëria dhe besimi është i madh.
Rama theksoi se Saranda është në një fazë historike zhvillimi.
“Ka realisht shumë shtytje dhe shumë energji që e duan zhvillimin, përparimin dhe kjo është një tjetër vlerë sepse Saranda sot është një nga destinacionet më të vizituara, më të kërkuara kur vjen puna për sezonin e verës”, tha ai.
Por, sipas tij, “sfida është që sezoni të zgjatet dhe jeta të vazhdojë nga pikëpamja ekonomike dhe për këtë duhet të mendohen rrugë të reja e të bëhen plane, projekte e punë të reja”.
Kryeministri kërkoi që të bëhet një analizë e gjithë elementëve pas zgjedhjeve vendore dhe të shikohet edhe zgjerimi i hapësirës së partisë për njerëz të tjerë, pavarësisht nga mosha.
“Fushatat janë teste të rëndësishme për të parë njerëz të rinj që afrohen e kontribuojnë si dhe njerëz të lodhur brenda strukturave që nuk arrijnë dot të nxjerrin atë që pritet prej tyre.”, tha Rama.