“Fredi Beleri po kërcënon emigrantët se do u grisë letrat”, Rama: S’ka Zot që kjo të ndodhë, Greqia s’do një sekser maskara

Kryeministri Edi Rama nuk i ndahet kandidatit të “Bashkë Fitojmë” në Himarë, Fredit Belerit. Rama tha se Beleri ka nisur kërcënimet se kush nuk e voton do ua grisë letrat greke.

Për këtë arsye, kreu i qeverisë thotë se një gjë e tillë nuk ka shanse të ndodhë duke thënë se ai është personi që ka mbajtur marrëdhënie shumë të mira me Greqinë fqinje, e që sipas tij, nuk ka nevojë për “sekser”, siç e quajti Belerin.

“Shikoni tani se deri ku ka shkuar puna se kjo është shumë e rëndësishme. Shumë e rëndësishme dhe shumë e thjeshtë për t’u kuptuar se ndoshta deri këtu ok, mund të vazhdojmë diskutojmë, jo po se shiko, Amerika kështu, Amerika kështu, jo po duam Amerikën, duam edhe bacën se baca është burrë i mirë etj., etj. Sa burrë i mirë është baca këtë ma lini se e di vetë nuk ka nevojë të ma mbushni mendjen. Po të ishte burrë i mirë baca nuk ia jepte mundësinë atij që ka dalë atje në Himarë me mbështetjen e bacës dhe të Like floririt dhe që kërkon vota “Bashkë Fitojmë” për të helenizuar Himarën thotë ai. Kjo është diçka që PD-ja nuk e ka bërë as në vitet ’90, as në vitet 2000 kur ishin punët thikë më thikë me PS-në dhe kur në të gjithë bashkitë e tjera zgjedhjet bëheshin me konflikte të jashtëzakonshme. Njerëzit digjnin posterat dhe grushtonin njëri-tjetrin për një flamur në shtyllë.

Ama atje në Himarë vajtëm bashkë, PS-ja dhe PD-ja. Vajtëm bashkë në Himarë për të mbështetur një kandidat të përbashkët kundër dikujt që kishte tendenca anti-shqiptare. Por ai kandidati atëherë kundër të cilit u vunë PS-ja dhe PD-ja ishte një zotni burrë krahasuar me këtë maskara që ka dalë atje në Himarë dhe me mbështetjen e “Sal-Like Floririt” kërkon votën për “Bashkë Fitojmë”. Kush fiton me të? Kush fiton me të? Me të është e sigurt që nuk fitojnë demokratët, nuk fiton e djathta shqiptare, e djathta e respektit për kombin, për sovranitetin e për të gjitha me radhë. Prandaj atë sovranitetin që ua shet baca të djathtëve, të djathtët duhet ta kuptojnë mirë që nuk është sovranitet kur baca do t’i shmanget përballjes me vulën që i ka vënë në ballë Amerika dhe pastaj është vasalitet kur çon atje një eksponent që vjen nga skutat më të errëta të historisë së armiqësisë ndaj shqiptarëve, i cili kërcënon edhe marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë, i cili kërcënon njerëzit që po nuk votuan, do t’ju heqë mundësinë për të shkuar në Greqi, i cili kërcënon emigrantët se po nuk erdhën të votojë për të do t’u marrë letrat dhe do t’ua grisë. Dhe ju them të gjithë emigrantëve që dëgjojnë sekserët e këtij që nuk ka Zot që atyre ua gris letrat se po të jetë puna për të pasur një avokat mbrojtës në Greqi, e dinë adresën. 

Adresa është tek Kryeministria. Nuk është tek një honxho bonxho, një që është i rrethuar nga sekserë që ka mbetur i ngrirë nuk e di sa dekada e shekuj më përpara, në kohën e urrejtjes ndaj shqiptarëve. Ne nuk kemi nevojë për persona që nxisin urrejtje. Ne duam miqësi. Ne grekët i kemi vëllezër, por secili në shtëpinë e tij dhe në shtëpinë tonë, shqiptarë dhe grekë janë të barabartë. Nuk ka shans që të çohet dikush dhe të nëpërkëmbë shqiptarët ashtu sikundër të gjithë shqiptarët respektojnë grekët, por në vendin e tyre, në shtëpinë e tyre. Ky maskara që thotë që unë do vë në vend të drejtat e mohuara 60 vjet. Çfarë 60 vjet? Ky nuk di të bëjë as llogari se nuk e di pse i llogarit dhe 60 vjet. Do vërë në vend të drejtat, do helenizojë Himarën. Do e kthejë Himarën në një, ku e di unë se çfarë. Atë atje ne nuk e kemi peshqesh as nga qeveria greke, as nga Greqia. Ne atë e kemi peshqesh nga ajo dyshe faqezezë”, tha Rama.