E pabesueshmja e një heqje pantente në Delvinë

Duket e pabesueshme por është e vërtetë: Policia Rrugore  e Sarandës i ka hequr për tre muaj patentën një….një të riu punëtor, të edukuar, të shkolluar, të  angazhuar gjithë ditën në punë në bujqësi, pra jo një birboje, paraziti apo çerri rrugësh; ja ka hequr jo pse ka qenë me shpejtësi, jo se ka qenë i pirë, jo se ka shkaktuar ndonjë çrregullim trafiku me shkeljet e tij, porse, në një qytet anemik si Delvina, në një rrugë me në tabelë të harruar edhe prej vjetërsisë që tregonte njëkalim, ka guxuar të kalojë. Pra, ka kaluar në një rrugë që në fakt kalohet rregullisht prej vitesh, ku tabelës i ka rënë legjitimiteti publik, ndonëse në një moment mund të ketë ende efekt ligjor, siç ka ndodhur me rrugoren qa ia ka behur një ditë aty ku vetëm sa ka vënë këtë gjobë famëkeqe, duke ia prerë krahët e punës një të riu pune, nga ata që janë të rrallë sot, aq më tepër në Delvinë.

Çështja është se policia në këtë rast gjobit, ndëshkon, por ama nuk mendon, nuk logjikon. Çdo të thotë të mendosh? Do të thotë të gjykosh në bazë të kontekstit. Kontekst do të thotë të marrësh në konsideratë rrethanat e shkeljes së kryer si dhe atë se ç’përfaqëson njeriu që ka bërë shkjelen, objektiven dhe subjektiven, në bazë të një psikologjisjeje të shpejtë që një polic rrugor duhet ta ketë si dhunti në aftësinë profesionale.

Sepse bëhet fjalë për një qytet ku prej vitesh ka thjesht prani fizike të Policisë Rrugore, por që vetë kjo e fundit, me inaktivitet të ushtrimit të detyrës në imponim të respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor brenda qytetit, e ka çmësuar banorin me ato. Ka ndodhur kjo dhe për shkak të një tharrjeje të jetës sociale vit pas viti, pa atë dinamizimin e pak viteve më parë, duke bërë që ndjekja e rregullave strikte të qarkullimit rrugor brenda qytetit të ngjajë si një luks i tepërt.

Sigurisht, nuk është aspak e qortueshme nëse Policia tenton të vërë rregull aty, pasi ka plot që meritojnë të ndëshkohen, sidomos nga ata të alkoolizuar në timon apo nga ata pa patentë, të cilët dhe për shkak të edukatës së ulët apo sfidimit rrugaçesk që i bëjnë shtetit, ligjit dhe rregullave, u duhet dhënë një mësim. Dhe pikërisht këtë klasifikim prioritetesh apo personash duhet të bëjë Rrugoja në Delvinë, me një tjetër kontekst social nga Saranda apo qytete me jetë dinamike, duke futur pra në punë para bllokut të gjobave, të menduarit.

Sepse nëse nisesh ftohtësisht nga “zbatimi rigoroz i ligjit(kodit rrugor), lehtësisht mund të mbushësh bllokun e gjobave dhe në mes të ndonjë fshati. Dhe në fakt, të gjobisësh në Delvinë është njësosj si të gjobisësh në një fshat.

Tashmë në Delvinë është po ajo zakonshmëri, me një qarkullim rutinë automjetesh mes një anemizmi social, deri dhe trishtues, ku askush dhe me plot të drejtë, nuk e ka mendjen se nga duhet të kalojë edhe për faktin se nocioni trafik aty mungon në terma absolutë.

Edhe në rrugën me tabelën një kalimshme ku i riu shembullor i ndëshkuar ka “guxuar” të kalojë kundra, kalohet rregullisht po kundra brenda një zakonshmërie të mërzitshme, pa i shkuar mendja kujt se mund t’i shfaqet ndonjë polic e të gjobitet.

Dhe në finale, Policia Rrugore nuk është se ka vënë aty ndonjë rregull, ka disiplinuar ndonjë trafik, ka sjellë në terezi një qytet në kaos; thjesht ka lënë pa punë një të ri, nga ata që Delvina duhet t’i kërkojë e gjejë me qiri, edhe për faktin se prej tyre rrjedh vetëm dobi. Pika që s’të bie moj Polici!

Po, pika që s’të bie dhe kur mendon që në vend të heqjes së patentës te një njeri pune e jo hardallosjeje, lehtësisht e logjikisht zgjedh ndëshkimin financiar, duke futur kësisoj dhe ndonjë lek në arkën e shtetit.

Mësim dhe këshillë nga rasti: mendoni para se të ndëshkoni, pasi kjo ju nderon, ju bënë të aftë e të respektueshëm. Ndëshkimi pa mendim thjesht ju turpëron, pasi në finale asgjë nuk rregulon!