Destinacioni i javës: Bukenvilja si aset natyror i Sarandës, në Sarandë dhe Ksamil
Bukenvilja (Lat.Bougainvillea glabra) është lulja simbol e mikpritjes së qytetit për këdo që viziton Sarandën.
Mendohet se ajo është sjellë në Sarandë nga Naim Frashëri, në kohën kur shërbeu si doganier në qytet (1874-1876).
I mahnitur nga bukuria e kësaj luleje në Turqi, farën e saj ai ia bëri dhuratë qytetit, që i shtoi jetë me klimën dhe jodin e tij.
Bukenvilja është bimë gjëmbore në familjen e hardhive, shkurreve dhe pemëve dekorative me lule me origjinë nga Amerika e Jugut, që mund të arrijnë deri në 12m lartësi.
Bukurinë e saj mund ta admironi duke e gjetur në çdo hapësirë të qytetit, me bukurinë dhe nuancat e shumta koloristike me të cilat ajo shfaqet.
Bukenvilja është një aset natyror që mbetet pjesë e kartolinës së Sarandës dhe lulja e mikpritjes së saj.