Fitoi Himarën nga burgu, Rama mund ta shkarkojë Fredi Belerin
Fredi Beleri u bë kryebashkiaku i parë që zgjidhet nga qelia.
Pas numërimit të votave, hapi i radhës është mandatimi nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të drejtuar Himarën për katër vitet e ardhshme…nëse do të arrijë ta drejtojë.
Janë dy mundësi që Beleri ta mbyllë mandatin e sapofituar para kohe. Së pari, nëse gjykata e shpalla fajtor për korrupsion aktiv në zgjedhje me vendim të formës së prerë. Mundësia e dytë është që mandati t’i ndërpritet me vendim të Këshillit të Ministrave pa pritur vendimet e gjykatave.
Precedentë nga e kaluar të kryebashkiakëve të akuzuar dhe më pas të shkarkuar me vendim qeverie pa pritur vendimin e gjykatave ka disa. Dy janë më analogët, Fatos Tushe i Lushnjes dhe Lefter Alla i Bulqizës.
Që të dy u morën nën akuzë nga SPAK për korrupsion me tenderat dhe shpërdorim detyre. Qeveria nuk priti vendime të formës së prerë të drejtësisë për t’i shkarkuar. Por, shfrytëzoi parashikimet e gërmës a) të nenit 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore për t’i shkarkuar.
Rasti i Belerit është thuajse identik me atë të Lefter Allës. Edhe kryebashkiaku i sapozgjedhur i Himarës akuzohet për korrupsion aktiv në zgjedhje kryer në bashkëpunim dhe gjykata e Vlorës ja ka përcjellë dosjen SPAK-ut.
Qeveria s’e pengon dot nga marrja e mandatit prej Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por duke iu referuar precedentit Alla e Tushe, mund ta shkarkojë atë fill sapo të mandatohet.