Zhdukja e dy personave në Sarandë, gjykata lë në burg të arrestuarin (Emri)
Ka dalë ditën e sotme para togave të zeza të Gjykatës së Sarandës, 28 vjecari Sofokli Baxheri i njohur shkurt me emrin Sofo.
Ky i fundit u ndalua në orët e para të mëngjesit të djeshëm pas një urdhër arresti të lëshuar nga prokurorja Esmeranda Basho, si person i dyshuar për veprat penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vertetës” dhe “deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.
Baxheri dyshohet se i ka dhënë me qera një banesë në fshatin Nivicë, personave të dyshuar si autorë të rrëmbimit e ndoshta vrasjes së 46 vjecarëve Leonard Thodhori i njohur si “Koçole” dhe Fatmir Sulovari alias Fatmir Krasniqi dhe të vendosjes së eksplozivit në banesën e 54 vjecarit Lefter Lefteri alias Afëz Kulla.
Baxheri akuzohet gjithashtu se kë gënjyer gjatë deklarimeve të tij kur është marrë në pyetje nga policia. Siç bëhet me dije, disa ditë më parë Baxheri është shoqëruar nga policia bashkë me disa të rinj të tjerë nga Saranda, si persona që mund të kenë dijeni mbi ngjarjen e rëndë. Ata janë kryesisht lidhje shoqërore të disa personave me precedentë penalë që dyshohet se fshihen pas rrëmbimit të dy 46 vjecarëve.
Burime pranë organit të akuzës bëjnë me dije se Baxheri ka “kyçur” gojën para oficerëve të policisë gjyqësore duke mos qenë bashkëpunues.
Këta të fundit kërkojnë prova se kush fshihet pas automjetit që u gjet në garazhin e banesës së Baxherit në Nivicë, automjet i cili rezulton i përfshirë në ngjarjen e rrëmbimit dhe tritolit.
Në fakt për rastin e shpërthimit me eksploziv, rezulton cuditërisht që Baxheri të jetë shok me djalin e Lefter Lefterit.
Në përfundim të seancës së sotme, gjyqtari Alban Veçani vendosi për 28 vjecarin Sofokli Baxheri, masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërkohë që ai më pas u transferua drejt burgut të Bënçës në Tepelenë.