Zbardhen detaje nga zhdukja e dy personave me precedentë penalë në Sarandë: Pinë kafe së bashku, qerasën fëmijët dhe u larguan
Fatmir Sulovari dhe Leonard Thodhori të dy të moshës 46-vjeçare prej 7 ditësh rezultojnë të zhdukur. Policia e Sarandës po kryen hetime, përfshirë këqyrjen e kamerave të sigurisë ne rruge dhe marrjen në pyetje të disa personave, kryesisht lidhje shoqërore të dy të zhdukurve. Report TV udhëtoi sot në fshatin Çukë, aty ku janë parë për herë të fundit dy miqtë me të shkuar kriminale, te denuar per droge, arme e tentative vrasje.
Banorët jashtë kameras rrëfejnë se ditën e enjte 6 Prill, rreth mesditës Fatmir Sulovari kishte ardhur për të takuar Leonard Thodhorin që banonte në këtë fshat. Të dy kanë pirë kafe në lokalin që shihni në pamje, kanë qendruar 40 minuta, kanë qerasur me pije freskuese disa fëmijë që ndodheshin rastësisht aty dhe janë larguar nga fshati.
Prej asaj dite nuk dihet asgjë për fatin e tyre! Familjarët e Leonard Thodhorit që banojnë në këtë apartament nuk pranuan të prononcohen, por thanë jashtë këmares se kanë kryer denoncim dhe presin rezultatet nga policia.
Thodori ishte i papunë, ndërsa miku i tij, Fatmir Sulovari që banon në qytetin e Sarandës është pronar i një restoranti të njohur në bregdetin e Ksamilit, “Eldorado”. Të dy kanë një të shkuar të theksuar kriminale, Leonard Theodhori i njohur si “Koçole”, ka qenë i dënuar disa here për moskallëzim krimi, vjedhje dhe mashtrim.
Ndërsa në vitin e largët 1997 ishte i dyshuar për Masakrën e Qafe-Gjashtes ku u vra oficeri i policise Gjergj Mehmeti.
Nga ana tjetër Fatmir Sulovari që njihet dhe me emrin Fatmir Krasniqi ka qenë i dënuar për armë dhe plagosje, ndërsa ne 2022 ishte arrestuar me disa doza kanabis në makinë. Burimet e policisë thanë se zhdukja e tyre ka prapavije kriminale, çka ka pak shpresa për gjetjen e tyre.